Lidhje

Ndryshimet klimatike dhe përmbytjet në zonat bregdetare


Ndërsa ndryshimet klimatike po intensifikohen, mund të presim më shumë zhvillime ekstreme të motit, uragane dhe thatësira. Por edhe përmbytjet e shkallës më të vogël, do të bëhen më të zakonshme dhe, ndonëse nuk janë katastrofike, sipas një raporti të ri, këto ndryshime tashmë po dëmtojnë rëndë disa komunitete lokale. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kevin Enochs sjell hollësitë.

Kur njerëzit flasin për ndryshimin e klimës ata në përgjithësi e kanë fjalën për motin ekstrem si thatësirat dhe uraganet.

Me intensifikimin e ndryshimit të klimës, do të shtohet numri i thatësirave dhe uraganeve si dhe intensiteti i tyre.

Por një studim i ri i Universitetit të Stanfordit sugjeron se ndryshimet në shkallë më të vogël si përmbytjet, gjithashtu janë duke patur një ndikim gjithnjë e më të madh në zonat bregdetare.

"Uji që po vërshon rrugët duke depërtuar përmes pusetave dhe përmbytjet në shkallë të vogël po shkaktojnë dëme të mëdha", thotë Katharine Mach nga Universiteti i Stanfordit.

Studiuesit analizuan ndikimin që përmbytjet e vogla kanë në komunitetet bregdetare.

Ata zgjodhën qytetin turistik të Anapolisit në Merilend, që përmbytet rreth 60 ditë në vit nga baticat e larta.

Madje edhe një nivel tepër i ulët i përmbytjeve ndikon negativisht në entuziazmin e turistëve.

"Ne kemi gjetur se 2 për qind e vizitorëve nuk po vijnë për shkak të përmbytjeve, kështu që 3 mijë njerëz nuk do të frekuentojnë këto biznese për shkak të përmbytjeve", thotë Miyuki Hino nga Universiteti i Stanfordit.

Intensifikimi i ndryshimit të klimës në këto zona mund të çojë në uljen e të ardhurave nga turizmi.

Lajm i mirë është se këto qytete kanë njohur për këtë problem.

"Kjo është e rëndësishme sepse gjatë këtij shekulli shumë amerikanë do të përballen me potencialin për përmbytje nga rritja e nivelit të detit. Prandaj, përgatitjet për këtë problem po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme", thotë Katharine Mach nga Universiteti i Stanfordit.

Studimet parashikojnë se "shumë amerikanë", rreth 4-13 milionë prej tyre, do të kërcënohen nga rritja e nivelit të detit në shekullin e ardhshëm.

Ky është një numër shumë më i madh se sa ai që mund të përballojë sistemi i tanishëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG