Presidenti rus Vladimir Putin thotë se Moska ka në plan të vërë në shenjestër Uashingtonin me armë të reja hipersonike, nëse Uashingtoni vendos raketa me rreze të mesme veprimi në Evropë.
“Rusia do të detyrohet të krijojë dhe të dislokojë armë që mund të përdoren kundër territoreve, nga të cilat vjen një kërcënim i drejtë ndaj nesh, si dhe në territore ku ndodhen qendrat vendim-marrëse,” tha zoti Putin gjatë fjalimit të 15-të mbi gjendjen e vendit para asamblesë federale të mërkurën në Moskë.
Zoti Putin i është referuar disa herë Traktatit të Armatimeve Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimit të vitit 1987, i njohur si Traktati INF që duket se i ka ditët e numëruara. Këto komente bëhen ndërkohë që popullariteti për udhëheqësin rus është në një nivel të ulët rekord.
Presidenti Putin hodhi poshtë komentet e Uashingtonit se Shtetet e Bashkuara po tërhiqen nga ky traktat, si rezultat i mosrespektimit të termave nga Rusia. Ai fajësoi Shtetet e Bashkuara se kanë bërë akuza false kundër Rusisë, për të justifikuar vendimin e tyre për ta braktisur marrëveshjen.
“Shtetet e Bashkuara shkelën në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të pakamufluar rregullat e traktatit; ata kanë vendosur platforma hedhëse në Rumani prej kohësh,” tha zoti Putin, duke përsëritur një argument të ngritur shpesh nga Moska lidhur me sistemin e mbrojtjes nga raketat balistike që Shtetet e Bashkuara kanë vendosur në Rumani dhe që ka aftësinë të asgjësojë raketa kruz Tomahawk me rreze të mesme veprimi.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë që në fillim, se sistemi është vendosur si masë mbrojtëse kundër vendeve të papërgjegjshme si Irani dhe nuk shërben për mbrojtje nga arsenali bërthamor rus.
“Rusia nuk ka në plan të dislokojë e para raketa të reja në Evropë,” shtoi zoti Putin. “Nëse Shtetet e Bashkuara do të dislokojnë raketa të reja në kontinentin evropian, ata do ta acarojnë situatën ndërkombëtare dhe do të krijojnë një rrezik të mirëfilltë për Rusinë, pasi do të kemi raketa që për 10-12 minuta arrijnë në Moskë”.
Më pas u duk se udhëheqësi rus u përpoq të vinte në lojë Shtetet e Bashkuara duke u bërë thirrje udhëheqësve amerikanë të llogarisin rrezen e veprimit dhe shpejtësinë e armëve më të avancuara të arsenalit rus.
“Kanë të drejtën të mendojnë si të duan,” tha zoti Putin, duke folur për udhëheqësit amerikanë. “Por a dinë të numërojnë? Jam i bindur se dinë të numërojnë. Atëherë, të llogarisin shpejtësinë dhe rrezen e veprimit të sistemit të armëve që po zhvillojmë ne”.
“Provat me Poseidonin, nëndetësen e telekomanduar me rreze të pakufizuar veprimi po shkojnë mirë. Nuk është thënë deri tani, por sot mund të them se brenda pranverës së këtij viti do të kemi në ujë nëndetësen e parë atomike”.
“Ne jemi gati për bisedime mbi çarmatimin, por nuk do të vazhdojmë më të trokasim mbi një portë të mbyllur,” tha më pas Presidenti Putin.
Rusia filloi të shprehte skepticizëm lidhur me traktatin dypalësh për kontrollin e armëve që para 10 vjetësh, kur zyrtarë të Kremlinit i kërkuan administratës së atëhershme të ish-presidentit George W. Bush të shikonte mundësinë e zgjerimit të traktatit për të detyruar vende të tjera që po shfaqeshin si fuqi bërthamore, si për shembull Kina, të respektonin termat e kontrollit të armëve.
Pjesa më e madhe e arsenalit bërthamor të Kinës klasifikohet si armë me rreze të mesme veprimi dhe nëse Kina do të pranonte të respektonte termat e traktatit të 1987-ës, kjo do të nënkuptonte se Pekini do të hiqte dorë nga thuajse i gjithë arsenali i tij.
Në dhjetor, kur Sekretari i Shtetit Mike Pompeo njoftoi se Shtetet e Bashkuara kishin në plan të tërhiqeshin nga traktati, ai i dha Rusisë 60 ditë afat për të dëshmuar se po respekton termat e marrëveshjes për kontrollin e armëve bërthamore, duke lënë të hapur mundësinë se Uashingtoni nuk do të tërhiqej nga traktati.
“Rusia nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për t’u kthyer brenda parametrave të traktatit në këto 60 ditët e fundit,” tha Sekretari Pompeo në një deklaratë me shkrim më 1 shkurt. “Rusia vazhdon të jetë materialisht në kundërvajtje me detyrimet për të mos zotëruar, prodhuar apo testuar një sistem raketash kruz me rreze të mesme nga 500-1000km”.
“Shtetet e Bashkuara kanë bërë përpjekje të panumërta për ta ruajtur Traktatin INF, duke komunikuar me zyrtarët rusë mbi 30 herë në afro gjashtë vjet për të diskutuar shkeljet ruse. Kemi biseduar deri në nivelet më të larta të qeverisjes,” shtoi zoti Pompeo.
Në bazë të termave të marrëveshjes origjinale INF, Moska dhe Uashingtoni janë të detyruara të zhvillojnë gjashtë muaj negociata lidhur me mospajtimet mes tyre. Nëse nuk zgjidhen këto mospajtime, kjo rezulton në tërheqje të plotë nga traktati.
Nëse Shtetet e Bashkuara dislokojnë armë të tjera në vende evropiane, Presidenti Putin paralajmëroi se Rusia do të vërë në shenjestër jo vetëm këto vende, por do të dislokojë armë të reja për të vënë në shenjestër edhe “qendrat amerikane të vendim-marrjes”.
Facebook Forum