Lidhje

Arben Gashi: Heqja e tarifave, e domosdoshme


Arben Gashi: Heqja e tarifave, e domosdoshme
please wait

No media source currently available

0:00 0:09:15 0:00

Arben Gashi: Heqja e tarifave, e domosdoshme

Kosova vazhdon të jetë e ngërthyer nga debati lidhur me pezullimin ose jo të tarifave për mallrat që vijnë nga Serbia. Bashkësia ndërkombëtare është shprehur hapur për pezullim të saj si një masë e domosdoshme që do t’i hapte rrugën rifillimit të bisedimeve mes dy vendeve. Lidhur me këtë çështje “Zëri i Amerikës” bisedoi mezotin Arben Gashi deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ndodhet në Shtetet e Bashkuara me rastin e ceremonisë së përvitshme të “Mëngjesit kombëtar tëlutjeve” që zhvillohet në Washington dhe që mbledh së bashku udhëheqës botërorë politikë e fetarë, personalitete të jetës sociale e fushës së biznesit, për të nderuar besimin dhe miqësinë. Zoti Gashi foli edhe rreth idesë së hedhur nga presidenti i Kosovës për korrigjim të kufirit me Serbisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Gashi Kosova aktualisht po përballet me mjaft trysni ndërkombëtare për të pezullar tarifat me Serbinë. Ka ndasi të forta edhe brenda klasës politike në vend mbi këtë çështje. Cili është qëndrimi i LDK-së mbi këtë çështje? Kryetari i partisë suaj ka thënë se tarifat ishin justifikimi për dështimin e qeverisë, por nuk e keni thënë shprehimisht, nëse duhet apo jo që tarifat të pezullohen?

Arben Gashi: Qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe i shumicës së njerëzve që mendojnë dhe veprojnë politikisht në Kosovë është se taksa e vendosur ndaj Serbisë është një masë administrative që ka patur për qëllim edukimin e shtetit serb lidhur me raportet dhe veprimet ndaj shtetit të Kosovës. Meqënëse kemi hyrë në një faqe kritike ku partnerët tanë ndërkombëtar kërkojnë që kjo taksë të pezullohet ose të hiqet e tëra, derisa jemi në një proces bisedimesh dhe negocimi me republikën e Serbisë, kemi krijuar një situatë të tensionuar, sepse kemi sjellje të kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë që është një sjellje individualiste, për protagonizëm politik, për konsum të brendshëm politik, që ka shkuar përtej një limiti të caktuar dhe po dëmton raportet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare dhe sidomos me SHBA-në. Prandaj ne si parti mendojmë se kryeministri po sillet si protagonist për të fituar pikë politike dhe për të mbuluar probleme e brendshme politike dhe jo si udhëheqës që duhet të marrë përgjegjësi në arenën ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Pra ju thoni se duhet pezulluar, por si ndodh kjo?

Arben Gashi: Po, por është një vendim i qeverisë që duhet të ndërmerret prej saj. Institucioni që e ka vendosur këtë taksë është qeveria e Kosovës dhe është i njëjti institucion që duhet ta pezullojë përkohësisht për t’i dhënë mundësi bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmarrë veprime të cilat janë në favor të interesave të Kosovës si dhe për të reklasuar raportet e insitucioneve të vendit me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra edhe kryetari i LDK-së zoti Mustafa, por edhe ne si deputetë të LDK-së kemi kërkuar që të ruhen raportet e rëndësishme të miqësisë me SHBA-në dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Kjo taksë të konsiderohet si një instrument që mbron interesat e Kosovës dhe si e tillë, përderisa kemi hyrë në fazën ku po rrezikohen interesat e Kosovës, duhet të pezullohet për t’u krijuar një momentum ku me koordinimin e bashkësisë ndërkombëtare të mund ta rikthejmë.

Zëri i Amerikës: Zoti Gashi ju me të drejtë thoni se ky është një vendim që i takon qeverisë së Kosovës, ajo e vendosi ajo duhet dhe ta pezullojë. Fakt është se qeveria e Kosovës, me saktë kryeministri nuk po e bën dhe qeveria është e ndarë mbi këtë çështje. Çfarë mund ta zgjidhte këtë situatë, zgjedhjet e parakohshme, riformatimi i qeverisë, çfarë mendon LDK-ja?

Arben Gashi: Zgjedhjet e parakohshme janë jo për taksën, janë si një mundësi për daljen nga kriza politike në përgjithësi. Pra ne jemi në një krizë politike. Kemi një qeveri jo përfaqësuese dhe kemi dhe një qeveri të pakicës sepse në koalicionin qeverisës tashmë kemi rreth 50 deputetë përkrahës të këtij koalicioni dhe normalisht për një qeverisje, minimalisht do të duhej të ishte përkrahja e 61 deputetëve. Dhe ky është problem i rëndësishëm i cili është vërejtur vitin e fundit në kuvendin e Kosovës, sepse shumica e vendimeve nuk kanë kaluar përveç rasteve kur ka pasur një vullnet prej partive të opozitës që kanë përkrahur çështje që janë me interes strategjik për vendin. Në këto rrethana mendoj se taksa nuk është elementi kryesor që çon vendin në zgjedhje.

Zëri i Amerikës: Por është një nga elementët, pasi është çështje e debatit të sotëm dhe që po bllokon një proces të rëndësishëm për vendin, sikurse janë bisedimet me Serbinë.

Arben Gashi: Po dhe po dëmton interesat e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare dhe Shtetet e Bashkuara. Kosova duhet të sillet me përgjegjësi në këto raporte sepse ne jemi një vend i vogël dhe nuk kemi luksin që të prishim raportet me partnerët tanë strategjik. Fakti që ne e pezullojmë taksën nuk do të thotë që ne i nënshtrohemi veprimeve të Serbisë, por krijojmë një raport reciprok me bashkësinë ndërkombëtare për të ecur në drejtim të veprimeve paqësore në rajon dhe për të krijuar mundësinë që të kemi bisedime për këto çështje dhe për ta lënë taksën si instrument rezervë kurdo që të jetë e nevojshme, që të riaktivizohet.

Zëri i Amerikës: Zoti Gashi, çfarë mendoni për propozimin e Presidentit të Kosovës në lidhje me korrigjimin e kufirit. Ai ka përdorur kohët e fundit edhe një frazë tjetër, atë për korrigjim të lehtë të kufirit. A e gjeni transperent këtë proces?

Arben Gashi: Ka probleme shumë të mëdha sepse është e paqartë se çka nënkuptohet me fjalët korrigjim dhe korrigjim të lehtë, dhe në fakt çka është kufiri me Serbinë. Pra, nëse ne i referohemi standartit, i cili është vendosur për të përcaktuar kufirin me Malin e Zi dhe atë me Maqedoninë më herët, tani i njëjti standart duhet të përdoret edhe për përcaktimin e kufirit me Serbinë. Në këto rrethana, Serbia si një shtet që nuk e ka njohur Kosovën, vazhdon të nxjerrë probleme, sidomos në një pjesë të caktuar të territorit që përfshin tre komuna në veri të Kosovës. Atje ka një kontroll më të madh politik dhe fizik të Serbisë. Pra, kemi vështirësi në shtrirjen e autoritetit të institucioneve të Kosovës në këtë pjesë të territorit. Kjo po bëhet gjithnjë e më problematike dhe Presidenti i Kosovës ka marrë një iniciativë personale, e cila nuk është biseduar me partnerët ndërkombëtar dhe sidomos me faktorët e brendshëm politik. Pra, në Kosovë ka një paqartësi të madhe mbi atë se çka po ndodh...

Zëri i Amerikës: Presidenti thotë që duhet hequr dorë nga teoritë konspirative dhe dilemat që mund të ketë lidhur me këtë proces sepse, sipas tij, gjithçka ka qenë plotësisht transparente.

Arben Gashi: Ajo është një deklaratë për konsum politik. Në fakt, kjo temë nuk është diskutuar me asnjërin prej kryetarëve të partive më të rëndësishme në Kosovë. Pra, asnjëri prej kryetarëve të partive, të cilët kanë deputet në parlament, nuk e di se çka po ndodh. Dhe nëse kryetari i LDK-së, kryetari i AAK-së që është partner qeverisës me partinë e Presidentit aktual, nuk ka idenë se çka nënkupton korrigjimi apo korrigjimi i lehtë, atëherë kush mund ta ketë idenë se çka po ndodh. Pra, në këto rretha është jashtëzakonisht e rrezikshme që Presidenti të marrë vendime të njëanshme dhe të mos jetë i koordinuar me skenën politike.

Zëri i Amerikës: Ju patët, megjithatë, një ftesë për të marrë pjesë që në dhjetor në grupin negociator, por refuzuat. Pse?

Arben Gashi: Sepse ka dy teori në këtë punë. Problemi i parë është se ne vlerësojmë se bisedimet duhet të bëhen nga instituci:onet. Pra, Kryeministri i Serbisë me Kryeministrin e Kosovës, Presidenti i Kosovës me Presidentin e Serbisë, e jo të krijohen trupa joformale, ku institucionet e Serbisë të flasin me përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës sepse ne kemi institucione, kemi shtetin e Kosovës dhe shteti i Kosovës merr përgjegjësinë për kryerjen e detyrave të veta që parashihen me kushtetutë. Nuk duhet të krijohen trupa jashtë strukturave kushtetuese të Kosovës sepse kjo e minimizon rolin e institucioneve të Kosovës dhe karakterin kushtetues dhe shtetëror të Kosovës. Pra, ne kërkojmë barazi në përfaqësim dhe negocim në bisedimet me Serbinë si dy shtete që kanë probleme. Dhe ne e dimë që kemi probleme me Serbinë. Dy përfaqësues të shteteve të bisedojnë dhe të merren vesh ose të mos merren vesh për çështje të caktuara, por jo të krijojmë trupa jashtë Kuvendit, jashtë Presidentit, jashtë Kryeministrit. Pra, të mos krijohen trupa, si ai ekipit të unitetit sepse këto janë të tejkaluara tashmë sepse Kosova ka 11 vjet si shtet dhe ka institucione që mund të merren me këto përgjegjësi.

Zëri i Amerikës: Një pyetje të fundit. Kosova është përpara zgjedhjeve të parakohshme apo riformatimit të qeverisë? Cili është mendimi juaj?

Arben Gashi: Lidhja Demokratike e Kosovës i ka ofruar të dyja si opsione sepse nëse vërtet vlerëson e gjithë skena politike në Kosovë se duhet të mbarohet me urgjencë çështja e raporteve me Serbinë, atëherë ne jemi për një qeveri gjithëpërfshirëse, ku përfshihemi të gjithë, t’i zgjidhim këto probleme dhe shkojmë në zgjedhje. Ose nëse kjo qeveri nuk është në gjendje me marrë përsipër këtë punë, khethemi tek votuesit dhe ata vendosin se kush do përfaqësojë ata dhe të marrë përsipër proceset politike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG