Policia e Vlorës tha sot se gjeti rreth mesditës trupin e pajetë të një gruaje 45 vjeçare në mjediset e një njësie të vogël biznesi ku ajo punonte, fare afër komisariatit të policisë së qytetit. Sipas policisë gruaja dyshohet se u vra nga bashkëshorti, i cili më pas tentoi vetëvrasjen dhe po merr trajtim mjekësor. Fqinjët e viktimës folën për dhunë sistematike të bashkëshortit ndaj gruas si dhe për precedentë të mëparshëm të tij në polici për dhunën në familje.
Të dhënat zyrtare flasin se vetëm fillimin e këtij viti në Shqipëri janë regjistruar gjashtë viktima nga krimi në familje. Në qytezën e Ballshit, fillimin e këtij viti, burri vrau gruan dhe kunatën pas konflikteve në familje, ndërsa në Tiranë në një tjetër krim që u shënua në janar dhëndri vrau vjehrrën dhe vjehrrin dhe më pas i dha fund jetës.
“Dhuna në familje është vepra penale e evidentuar që tregon një trend në rritje në periudhën 2015-2017 në kategorinë 'vepra penale kundër personit',” vërehet në Raportin e INSTAT-it për Statistikat e Krimeve dhe Drejtësisë Penale 2018. Raporti vlerëson se “tendenca në rritje është rezultat i shkallës më të lartë të raportimit të dhunës në familje nga të dëmtuarit dhe të afërmit e tjerë”. Por Raporti vlerëson se “kjo gjithashtu mund të nënkuptojë se ka shumë vepra të tjera të këtij lloji që nuk raportohen”.
Sipas vlerësimeve zyrtare numri i veprës penale të dhunës në familje pësoi rritje 14,5 %, (nga 1300 vepra penale në vitin 2015 në 1488 vepra penale në vitin 2016). Të dhënat folën më pas për një rënie të lehtë nga viti 2016 në vitin 2017 (nga 1.488 vepra penale në 1.412). Raporti për Statistikat e Krimeve dhe Drejtësisë Penale vlerëson se në 2017 vetëm 740 persona u dënuan për dhunë në familje duke shënuar një rënie me 16,4 % të personave të dënuar në vitin 2016.
Facebook Forum