Lidhje

Një portret i Sekretarit të ri amerikan të Mbrojtjes


Këtë muaj, një drejtues i ri mori frenat e Pentagonit. Por kush është Patrick Shanahan, që ushtron detyrën e Sekretarit të Mbrojtjes dhe si pritet të bashkëpunojë ai me komandantin e përgjithshëm, Presientin Donald Trump.

Sekretari i Mbrojtjes në detyrë Patrick Shanahan ka qënë zëvendës i Sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis... i cili ka shërbyer për më shumë se 40 vjet në ushtrinë amerikane para se merrte postin e lartë civil në Pentagoni.

Ndryshe nga paraardhësi i tij, zoti Shanahan ka një përvojë 30 vjeçare në industrinë private, duke punuar për korporatën Boeing. Ky fakt është shqetësim për disa ekspertë ushtarakë. Bishop Garrison është me Projektin e Sigurisë Kombëtare Truman.

“Pa përvojë ushtarake, me pak ose aspak përvojë në qeveri. Gjatë gjithë karrierës së tij ka qënë në sektorin privat. Nuk jam i sigurtë se ai është i përshtatshëm për këtë post.”

Por të tjerët thonë se koha që zoti Shanahan kaloi pranë zotit Mattis është e paçmuar. Todd Rosenblum ka qënë ish Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes.

“Gjatë një viti e gjysëm është ekspozuar ndaj çështjeve politike, pra nuk është pa dijeni. Nuk është se ai sapo hyri në portat e Pentagonit.”

Në letrën e dorëheqjes vitin e kaluar, zoti Mattis shkruante se Presidenti Trump ka të drejtë të ketë për sekretar mbrojtje një zyrtar më të afërt me pikëpamjet e tij. Por nuk është e qartë nëse Shanahan është njeriu i duhur.

“Me aq sa dimë për zotin Shanahan, sa i përket besimeve të tij për sigurinë kombëtare dhe politikës së jashtme, ato u pasqyruan, për të mos që u formuan, në bazë të ideve të zotit Mattis. Nëse është kështu, atëherë kemi të bëjmë me një variant me më pak përvojë të sekretarit Mattis”, thotë Bishop Garrison me Projektin Truman të Sigurisë Kombëtare.

Kur Presidenti Trump vizitoi Pengtatonin para disa ditësh për të shpalosur stategjinë e re të mbrojtjes nga raketat, sekretari i mbrojtjes në detyrë dukej i etur për të shërbyer.

“Zoti President jemi gati për këtë detytrë. Ky është departamenti që i realizon detyrat”, u shpreh Sekretari i Mbrojtjes në detyrë Patrick Shanahan.

Në minutat që pasuan, presidenti u përball me heshtje nga të pranishmit kur u përpoq të godiste politikisht kundështarët e tij demokratë.

“Partia e tyre është marrë peng nga krahu ekstrem i kufijve të hapur brenda partisë. E majta radikale është tjetërsuar në radikalë demokratë.”

Retorika u shua sepse, sikurse zoti Shanahan pohoi të martën, Pentagoni ka një përgjegjësi të kahershme për të qendruar larg politikës. Ish Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes Todd Rosenblum jep më shumë sqarime.

“Është mjaft e rrezikshme, dhe do të jetë e rendësishme për sekretarin e mbrojtjes që të mbrojë institucionin e tij, si ushtarakët edhe civilët, sa më shumë të jetë e mundur që të mos përdoren si një instrument politik.”

Kjo përgjegjësi ka të ngjarë që ta karakterizojë sekretarin e mbrojtjes ndërsa fillon fushtata presidenciale e vitit 2020.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG