Lidhje

Prokurori Sheshi mohon lidhjet me ish Sigurimin


Në Shqipëri, prokurori Bujar Sheshi, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), mohoi sot që ai të ketë qenë i rekrutuar nga strukturat e ish sigurimit të Shtetit para viteve ’90. “Deklaroj me përgjegjësi të plotë para jush dhe para ligjit nuk kam qenë asnjëherë bashkëpunëtor i fshehtë i ish Sigurimit të Shtetit shqiptar”, u shpreh zoti Sheshi në mbledhjen e KLP-ës

Sipas një vendimi të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentat e ish Sigurimit, rezulton se është gjetur një dokument mbi një person me emrin Bujar Rasim Shesha i cili ka qenë bashkëpunëtor, me pseudonimin Venusi. Në gjeneralitetet e prokurorit, i ati rezulton me emrin Ramiz, por Autoriteti është i bindur se, pavarësisht këtij ndryshimi, bëhet fjalë për dosjen e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit, zoti Sheshi foli për një skenar, sipas të cilit “nuk synohet thejsht vetëm goditja e personit tim si hakmarrje për çështjet që kam hetuar apo përfaqësuar si prokuror, apo për mendimet që kam shfaqur si anëtar i KLP-së për kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për Prokuror i Përgjithshëm, por mendoj se synohet goditja dhe vendosja nën trysni e të gjithë institucionit të KLP-së, pasi kemi ardhur në një moment përfundimtar të krijimit të SPAK-ut dhe përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm”, u shpreh ai duke shtuar se "pas këtij veprimi fshihen segmente të caktuara që janë pjesë e rëndësishme të politikës, jo vetëm të njërit krah, por dhe persona me pushtet të lartë".

Verifikimi i të shkuarës së anëtarëve të KLP-ës është pjesë e kritereve që ata duhet të plotësojnë. Duke sqaruar pozicionin e saj, Prokuroria e Përgjithshme, e cila ka për detyrë të shqyrtojë plotësimin e kritereve të kandidatëve, shpjegoi se zoti Sheshi nën përgjegjësinë e tij ligjore kishte plotësuar formularin ku mohonte të kishte qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit, dhe se kërkesa dërguar Autoritetit për Informimin mbi Dokumentat e ish Sigurimit, ishte bërë menjëherë pasi ai kishte kaluar procesin e Vetting-ut, që në muajin tetor. Përgjigja e Autoritetit ka mbërritur vetëm pak ditë më parë. Prokuroria e Përgjithshme, shpjegoi se pritja e përgjigjes nga Autoriteti, nuk ishte kriter pengues për të mos thirrur Asamblenë e prokuorëve nga e cila u zgjëdhën dhe anëtarët e Këshillit. “Në kushtet kur verifikimi në AISSH nuk ishte një prej kritereve të parashikuar në ligj, brenda afateve ligjore të detyrueshme, Prokurori i Përgjithshëm ka vijuar me procedurën për organizimin e Mbledhjes së Përgjithshme si hapi përfundimtar për ngritjen e KLP-së”, thekson deklarata e Prokurorisë së Përgjithshme e cila njoftoi gjithashtu hapjen e një hetimi për rastin, ndërsa vetë Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të shprehet në ditët në vijim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG