Lidhje

Hahn në Tiranë: Të ruhet ritmi i reformave


Komisioneri europian për Zgjerimin Johannes Hahn, vizitoi mbrëmjen e së enjtes Tiranën ku u takua me kryeministrin Edi Rama për të diskutuar përparimin në reformat që lidhen me integrimin në BE dhe zhvillimet e fundit politike në rajon.

Sipas një njoftimi për shtyp të shpërndarë nga zyra e Delegacionit të Bashkimit europian në Tiranë “Komisioneri nënvizoi se është e rëndësishme të vijohet me impulsin e mirë të vitit të kaluar për të dhënë rezultate të prekshme në programin e reformave, çka është vendimtare duke pasur parasysh vendimin e ardhshëm të Këshillit të BE-së lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në qershor 2019”.

Shteti i së drejtës dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit vlerësohen si ndër çështjet kyçe për vendimin e ardhshëm të BE-së. “Reforma në drejtësi vazhdon të japë rezultate dhe ristrukturimi institucional i gjyqësorit duhet të përfundojë brenda javëve të ardhshme. Komisioneri Hahn vuri në dukje veprimet e kohëve të fundit kundër krimit të organizuar si një shenjë pozitive në këtë drejtim, që megjithatë duhet të bëhet pjesë e një vazhdimësie arritjesh solide dhe të pasohet me ndjekje penale dhe dënime përfundimtare. Lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta kundër korrupsionit në të gjitha nivelet mbeten prioritete në marrëdhëniet BE-Shqipëri”, nënvizon deklarata.

Shqipëria megjithatë po kalon një moment të vështirë tensionesh politike në vend, me opozitën e cila ka paralajmëruar nisjen e protestave për rrëzimin e qeverisë. “Komisioneri përsëriti se angazhimi i fortë në procesin e integrimit në BE nga kryeministri Rama është kyç dhe se dialogu konstruktiv politik midis të gjitha partive politike, si dhe gatishmëria për të punuar së bashku në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë, është thelbësore për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Një marrëveshje ndërpartiake për reformën zgjedhore për të trajtuar rekomandimet nga OSBE / ODIHR do të ishte një mundësi e mirë për ta treguar një gatishmëri të tillë”, vëren deklarata.

Sërish është ngritur dhe shqetësimi mbi fenomenin e azilkërkuesve shqiptarë në vendet europiane. “Komisioneri shprehu shqetësim rreth numrit ende të lartë të aplikimeve të pabazuara për azil nga qytetarë shqiptarë në disa shtete anëtare të BE-së. Shkaqet themelore duhet të trajtohen dhe bashkëpunimi me qeveritë e shteteve anëtare të BE-së, të prekura nga ky fenomen, duhet të intensifikohet më tej”, shpjegon deklarata e Delegacionit të BE-së në Tiranë, mbi takimin e komisionerit Hahn me kryeministrin Rama.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG