Presidenti i Kenias Uhuru Kenyatta njoftoi të mërkurën se sulmi terrorist në një hotel dhe kompleks zyrash në kryeqytetin Nairobi, ka marrë fund. Gjatë sulmit u vranë 14 vetë, ndërsa 700 civilë të tjerë u shpëtuan nga forcat e sigurisë.
Përmes një fjalimi të transmetuar me televizion, Presidenti Kenyatta tha se të gjithë terroristët e sulmit të së martës ishin eliminuar. Departamenti amerikan i Shtetit tha se në mesin e të vrarëve ishte edhe një amerikan. Mes viktimave ishte edhe një shtetas britanik.
"Kemi konfirmimin se 14 jetë të pafajshme njerëzish kanë humbur në sulmin e terroristëve vdekjeprurës; të tjerë janë plagosur. Sot i gjithë vendi mban zi; zemra ime dhe e të gjihtë kenianëve është me burrat dhe gratë e pafajshme, viktima të dhunës së pakuptimtë.” – tha Presidenti i Kenias, Uhuru Kanyatta.
Forcat keniane të sigurisë shpëtuan qindra civilë që u ndodhën në vendin e sulmit, në kompleksin DusitD2. Njerëzit janë duke i kërkuar qeverisë që të forcojë sigurinë, pasi personat e armatosur mundën të hyjnë në hotelin dhe kompleksin e zyrave në Nairobi.
"Ne fajësojmë të gjithë ekipin tonë të brendshëm të sigurisë, si mundën të hyjnë këta njerëz në vendin tonë, kur ka gjithë ata persona të sigurisë.”- tha një banore.
Sulmi tek kompleksi filloi në mesditën e së martës, me një shpërthim jashtë një banke dhe një sulm vetëvrasës me bombë në hollin e hotelit.
"Kur zbrita në katin përdhes, pashë një grua që po e vrisnin dhe atëhere ngjita shkallët për në katin e parë. Atje dikush mbylli me çelës zyrën, duke më lënë jashtë, pasi nuk punoj atje…pastaj të gjithë u futën nëpër banjo, ndoshta 7 njerëz në një banjo.”- tregon një dëshmitare e sulmit.
Edhe disa orë pasi Ministri i Brendshëm i Kenias tha se situata ishte nën kontroll, ende mund të dëgjoheshin të shtëna me armë. Nuk është e qartë se kush ishte objekt i sulmit.
Grupi militant islamik al-Shabab ka organizuar më parë disa sulme në Kenia, përfshirë atë të shtatorit të 2013-ës në qendrën tregtare Westgate të Nairobisë, ku u vranë 67 persona.
Facebook Forum