Lidhje

Kryeministri Haradinaj në pritje të vizës amerikane


Zyra e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të hënën se ende nuk ka marrë përgjigje zyrtare për vizën e kryeministrit nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zyrtarët e qeverisë thanë se kryeministri Haradinaj do të udhëtonte në SHBA për të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit.

Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, zyra e kryeministrit të Kosovës tha se “ende nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rreth çështjes së vizës për zotin Ramush Haradinaj. E vetmja arsye pse kryeministri do të udhëtonte për në SHBA janë Lutjet e Mëngjesit, e jo ndonjë konferencë”, thuhet në përgjigjen e zyrës zë zotit Haradinaj, por pa dhënë shpjegime të tjera.

Reagimi pasoi raportimin e stacionit televiziv "Al Jazeera Balkans" që pohoi se duke u bazuar në burime nga Departamenti amerikan i Shtetit, kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, i është refuzuar viza amerikane për shkak të tarifës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Më herët gjatë ditës, mediat në Kosovë raportuan se Shtetet e Bashkuara u kanë dërguar mesazh institucioneve që të heqin tarifat ndaj Serbisë ndërsa kanë paralajmëruar pasoja në rast se nuk ndërmerret ky hap.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të hënën gjatë ditës se qeveria do të pezullonte përkohësisht tarifat vetëm pas garantimit ndërkombëtar për nënshkrimin e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë për njohjen të ndërsjellë.

Ai i bëri këto komente përmes llogarisë së tij në Facebook, ku tha se garancia ndërkombëtare “do të thotë që ekziston një materie, kontratë e dakorduar në parim dhe pret vetëm nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, që rezulton me njohje”.

Kryeministri Haradinaj thotë se përderisa vazhdon dialogu i tanishëm që sipas tij është i pafrytshëm dhe pa afate të caktuara për një marrëveshje përfundimtare për njohjen e pavarësisë së Kosovës, tarifat do të vazhdojnë të mbeten në fuqi.

“Jam thellësisht i bindur për mundësinë e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht detyruese me Serbinë, që rezulton me njohje. Ne intensivisht po punojmë për një kontratë përfundimtare, marrëveshje finale, me ç’rast edhe dorëzuam Librin e Madh me kapituj dhe Draftin e kësaj marrëveshjeje. Tërë këtë përmbajtje e kemi zhvilluar me qëllim për t’u siguruar se kur ulemi me Serbinë të kemi materie të qëndrueshme, me fakte dhe argumente”, thuhet në reagimin e kryeministrit duke nënvizuar se vendosja e tarifave ndaj produkteve të Serbisë nuk ka për qëllim pengimin dhe shtyrjen e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht detyruese me Serbinë.

E vendosur me 21 nëntor të vitit që lamë pas, tarifa nxiti reagimin e Bashkimit Evropian por edhe thirrjet e Shteteve të Bashkuara për heqjen e saj, ndërsa Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me anulimin e tarifave.

Bashkimi Evropian, i cili në pranverë do të ketë zgjedhje të brendshme, është vënë në përpjekje për përshpejtuar arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është edhe kusht për integrimin e tyre.

Në dhjetor, presidenti amerikan Donald Trump u dërgoi letra presidentit Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke u bërë thirrje të dyja palëve “që të shfrytëzojnë kohën e duhur për të arritur një marrëveshje pajtimi ndërmjet tyre”,marrëveshje që siç thuhet, “do të pasqyronte në mënyrë të drejtëpeshuar interesat e të dyja palëve”.

Autoritetet në Kosovë thonë se janë të gatshëm për një marrëveshje normalizimi me Serbinë e cila do të sillte paqe në rajon. Aktualisht është e paqartë se kur mund të pritet vazhdimi i bisedimeve që kanë ngecur për shkak të tarifave të vendosura nga qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe.

Serbia vazhdon të ngulë këmbë për heqjen e tyre si mundësi për të vazhduar bisedimet, çështje kjo që po kundërshtohet vazhdimisht nga qeveria e vendit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG