Lidhje

Kreu i PD: Rama rrëzohet me votë jo me dhunë


Në Shqipëri Partia Demokratike mblodhi sot kuvendin e saj për të zgjedhur Këshillin e ri Kombëtar. Në fjalën e tij kryetari Lulzim Basha foli për nevojën e një modeli të ri qeverisje duke theksuar se partia e tij nuk kërkon rrëzimin me dhunë të kundërshtarit, dhe se ajo di të jetë në pushtet vetëm përmes votës. Ai bëri thirrje kritikëve të tij brenda partisë që të kontribuojnë, por kontribut tha ai nuk do të thotë të kesh post.

Fjala kryesore e Kuvendit të sotëm të Partisë Demokratike, i thirrur për të votuar anëtarët e Këshillit të ri Kombëtar, ishte ajo e kryetarit Basha. Ajo ishte një vlerësim i zhvilimeve brenda Partisë, e cila zhvilloi javët e fundit zgjedhjet për drejtuesit e saj lokal, jë renditja e sfidave dhe objektivave të forcës kryesore të opozitës, por dhe një pasqyrë e errët e situatës, në të cilën, sipas zotit Basha, ndodhet aktualisht vendi dhe qeverisja e tij.

Basha: Rama rrëzohet me votë jo me dhunë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:18 0:00

Ai tha se opozita mbështet të gjitha protestat për mbrojtjen e të drejtave, lirive të njerëzve dhe për mbajtjen e qeverisë përgjegjëse, por kundërshtoi zërat që sipas tij vijnë si nga brenda partisë ashtu dhe nga mediat për rrëzimin e qeverisë më dhunë. “Por PD nuk do të vijë kurrë në pushtet mbi kufoma. PD nuk do të vijë kurrë në pushtet me mjet tjetër përveçse me zgjedhje. Demokratët nuk e duan pushtetin duke shkaktuar drama dhe kosto shoqërore, duke nxitur përçarjen e përplasje mes shqiptarësh. Jeta dhe mirëqenia e çdo shqiptari është më e shtrenjtë se çdo karrike e tepsi”, u shpreh kryetari demokrat..

Ai i mëshoi dhe një herë kësaj ideje, ndërsa foli për nevojën e një modeli të ri qeverisës që të rikthejë besimin te njerëzit: “Sot beteja jonë duhet jo thjesht për të larguar Edi Ramën dhe regjimin e tij shkatërrues nga pushteti, por për të zhdukur bashkë me të edhe këtë sistem të ndryshkur në qeverisje, në politikë dhe në ekonomi. Kjo gjë nuk arrihet me dhunë, por me mjete demokratike. Kjo gjë nuk arrihet me forcë, por me vote”.

Që pas humbjes së zgjedhjeve të 2017 dhe rikonfirmimit në krye të Partisë Demokratike, zoti Basha është gjendur shpesh në qendër të kritikave të forta prej disa nga emrat e njohur të kësaj partie. Për të gjithë ai kishte një thirrje: “Kushdo që dëshiron të jetë pjesë e PD-së dhe kushdo që do të kontribojë, ka vendin e vet brenda PD-së. Por kontribut nuk do të thotë të kesh post, dhe aq më pak një post të përjetshëm në PD apo në pushtet. Kontribut do të thotë të punosh dhe mbeshtetësh misionin dhe veprimtarinë e PD-së. Në qeverisje dhe në opozitë, kur je anëtar i thjeshtë apo drejtues i lartë”.

Disa prej kritikëve kryesorë të tij megjithatë, nuk janë në listën e kandidatëve për në Këshillin Kombëtar, ndërsa disa të tjerë u tërhoqën para votimit të sotëm.

Pas zgjedhjes së Këshillit Kombëtar, I hapet rruga zgjedhjeve të drejtuesve të tjerë të lartë së bashku me kryesinë e re.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG