Me shumicë votash, parlamenti i Kosovës miratoi tri ligje: atë për ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe ligjin për shërbimin në këtë forcë, duke i hapur rrugë procesit të themelimit të ushtrisë së saj.
Forca e Sigurisë së Kosovës e cila do të vazhdojë më emrin e njëjtë, pritet të ketë 5 mijë trupa aktiv dhe 3 mijë rezervë, të armatosur lehtë.
Votimi i sotëm u cilësua historik nga përfaqësuesit politik të Kosovës por edhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett i cili pak para votimit tha se “se siguria e një vendi varet nga cilësia e marrëdhënieve të tij të sigurisë, marrëdhëniet paqësore dhe bashkërisht të dobishme me fqinjët e saj, por edhe nga forca dhe profesionalizmi i forcave të saj të armatosura.
Menjëherë pas votimit, ambasada amerikane lëshoi një komunikatë në të cilën theksohet se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës ripohojnë mbështetjen e tyre për tranzicionin gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë me mandat mbrojtës territorial, siç është e drejta sovrane e Kosovës. Votimi i sotëm në parlament është hapi i parë në zhvillimin e këtij kapaciteti. Këto ligje nuk sjellin asnjë ndryshim të menjëhershëm në strukturën, misionin apo operacionet e forcës, por, përfaqësojnë fillimin e punës praktike e të vazhdueshme për ndërtimin e një force transparente, shumetnike dhe të ndërveprueshme me NATO-n që iu shërben të gjitha komuniteteve të Kosovës, në pajtim me planin dhjetëvjeçar për tranzicion të qeverisë së Kosovës.
I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës për të vazhduar bashkërenditjen e ngushtë me aleatët dhe partnerët e NATO-s dhe për tu angazhuar në punën afruese në terren me komunitetet pakicë tani dhe gjatë tërë procesit të gjatë shumëvjeçar. Presim që do të vazhdojnë aranzhimet ekzistuese me KFOR-in për lëvizjet dhe operacionet e forcave në Kosovë. Të gjithë hisedarët brenda dhe jashtë Kosovës duhet t’i mbështesin dhe t’i nxisin qytetarët e komuniteteve pakicë të Kosovës për të marrë pjesë në forcat e saj të sigurisë, për dobinë e komuniteteve të tyre dhe të vendit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zotuara për të punuar me FSK-në për promovimin e zhvillimit profesional dhe evolucionit organizativ, i cili do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon.
Stabiliteti rajonal kërkon që Kosova të bëjë përpjekje të njëmendta për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin e saj, Serbinë, dhe i nxisim të dy palët që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të zbutur tensionet dhe për të krijuar kushte për përparim të shpejtë në dialog. Qëllimi për të arritur një marrëveshje të leverdishme për të dy palët që do të rrisë paqen, qëndrueshmërinë dhe përparimin në Kosovë dhe në rajon, gjithashtu paraqet përparësinë më të lartë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U bëjmë thirrje të gjithë hisedarëve që t’i ri-përqendrojnë energjitë e tyre dhe të angazhohen në mënyrë serioze dhe konstruktive për arritjen e këtij qëllimi”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe i dhanë mbështetje votimit të sotëm, ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, shprehu keqardhjen për votimin e sotëm në parlamentin e Kosovës “me gjithë shqetësimet e shprehura nga NATO-ja”
“Ndonëse tranzicioni i Forcës së Sigurisë është në parim çështje e Kosovës që të vendosë, ne e kemi bërë të qartë se kjo po ndodhë në një kohë të papërshtatshme. NATO-ja e mbështetët zhvillimin e Forcës së Sigurisë në mandatin e saj aktual. Me ndryshimin e mandatit, Këshilli Veri-atlantik duhet të shqyrtojë shkallën e angazhimit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës”.
Ai tha se NATO-ja mbetet e përkushtuar nëpërmjet KFOR-it për një mjedis të sigurt në Kosovë dhe qëndrueshmërinë gjithandej Ballkanit Perëndimorë.
“Të gjitha palët duhet të sigurohen që vendimet e sotme të mos shtojnë më tej tensionet në rajon. Të gjithë përgjegjësit politik në rajon duhet të jenë të përqendruar në përparimin në reforma dhe në dialog. E ritheksoj thirrjen time për Prishtinën dhe Beogradin që të qëndrojnë të qetë dhe të përmbahen nga cdo veprim apo deklaratë që mund të çojë në përshkallëzim. NATO-ja vazhdon të mbështesë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, si zgjidhje e vetme afatgjate për rajonin”, thuhet në deklaratën e sekretarit Stoltenberg.
Maja Kocijançiç, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tha se BE-ja ka mendimin e njëjtë me NATO-n që “mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës mund të ndërrohet vetëm përmes procesit gjithëpërfshirës dhe gradual, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Bashkimi Evropian pret që Kosova të vazhdojë t’u përmbahet detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Parë, që është arritur në prill të vitit 2013 në Bruksel, si dhe aranzhimeve të saj të sigurisë”, theksoi ajo.
Votimi nxitit zemërimin e Beogradit, i cili shfaqë frikën se qëllim kryesor i ushtrisë së Kosovës është që “të marr veriun e Kosovës me shumicë serbe dhe të dëbojë serbët prej andej”.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, është zhvendosur në afërsi të kufirit me Kosovën për të ndjekur siç thuhet, zhvillimet në Kosovë.
Prishtina i ka siguruar serbët e Kosovës se ushtria nuk është e drejtuar kundër asnjë qytetari të saj dhe se pohimet tjera janë “propagandë e qëllimshme nga ana e Serbisë”.
Pak pas votimit presidenti i Kosovws, Hashim Thaçi, tha se “Ushtria e Kosovës është nderi, siguria dhe mirëqenia e Republikës së Kosovës. Pas dy dekadash shumë të mundimshme, më në fund po e përmbyllim procesin e shtetndërtimit. Në Kuvendin e Kosovës, me shumicë absolute, përtej dallimeve politike, si rrallëherë të zgjedhurit e popullit miratuan pakon ligjore për themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Si shoqëri dhe shtet e kemi dëshmuar se jemi të guximshëm, të përgjegjshëm dhe dimë të qëndrojmë të bashkuar për t’i mbrojtur interesat e popullit dhe shtetit tonë. Krijimi i Ushtrisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes është dhurata më e mirë për festat e sivjetme të fundvitit”
Qeveria e Kosovës tha se votimi i sotëm është kurorëzim i rrugëtimit për konsolidimin e shtetit.
“Duke kujtuar dhe nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për lirinë dhe shtetin tonë dhe duke shprehur mirënjohje për misionin e NATO-s, KFOR-it, të gjithë trupave ushtarake të vendeve aleate: ShBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, e të gjitha atyre vendeve që i shërbyen paqes në Kosovë, Qeveria e Republikës së Kosovës thekson se sot po kurorëzohet rrugëtimi për konsolidimin e plotë e të brendshëm shtetëror të Republikës së Kosovës”.
Në një komunikatë për opinion thuhet se me votimin e sotëm “ne përcaktojmë kompetencat, organizimin dhe funksionimin e FSK-së, si forcë multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor në mbrojtje të integritetit territorial, qytetarëve, pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës, dhe e cila i nënshtrohet kontrollit civil demokratik”.
Qeveria e Kosovës vlerëson se “e drejta e Kosovës për ushtri, një forcë multietnike e profesionale të ndërtuar sipas standardeve më të larta të NATO-s buron nga sakrifica dhe liria, nga e drejta e shtetit, nga sovrani, vullnetit qytetar për të mbrojtur dhe promovuar vlerat pro-perëndimore në Kosovë dhe më gjerë. “Kosova është NATO dhe NATO është Kosovë. Për këtë askush mos të ketë asnjë dyshim. Së bashku me aleatët, NATO-n do të jemi vetëm në shërbim të demokracisë, sigurisë, paqes dhe zhvillimit në Kosovë, rajon e kudo që kërkohet”, thuhet në deklaratën e qeverisë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ushtria e Kosovës do të jetë partnere edhe më ushtrinë e Serbisë, duke i siguruar qytetarët serbë se ushtria e Kosovës është e të gjithëve.
“Forcat e Kosovës do të jenë gjithmonë shumetnike dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të saj, në funksion të paqes me të gjitha ushtritë e rajonit, përfshirë edhe ushtrinë e Serbisë, që të kemi partneritet për paqe”, shkroi ai.
Autoritetet në Kosovë pohojnë se krijimi i ushtrisë do të jetë një proces që do të zgjasë 10 vjet dhe nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s që vazhdojnë të kenë rreth mijë trupa, disa qindra prej të cilëve janë amerikanë.
NATO-ja u vendos në Kosovë në vitin 1999 në përfundim të ndërhyrjes së saj ajrore për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.
Nëntë vjet pas ndërhyrjes, në shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj por është përfshirë në një proces normalizimi marrëdhëniesh me Kosovës si kusht për integrimet evropiane. Por bisedimet për këtë normalizim kanë ngecur dhe një krizë e re i ka përfshirë ato pas vendimit të Kosovës për t’u vendosur një tarifë prej 100 për qind mallrave serbe si kundërpërgjigje ndaj siç thuhet, fushatës agresive të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës.
Facebook Forum