Lidhje

Revista “Time" zgjedh "Njeriun e Vitit"


Gazetari saudit i vrarë mizorisht Jamal Khashoggi ndodhet në mesin e një grupi gazetarësh të cilët u zgjodhën të martën nga revista “Time" për titullin "Njeriu i Vitit".

Gazeta ia ofron titullin një njeriu ose një grupi njerëzish të cilët kanë patur ndikimin më të madh tek lajmet dhe çështjet botërore gjatë vitit të kaluar, "për mirë ose keq".

Kryredaktori Edward Felsenthal tha në emisionin “Today” të NBC-së se njeriu i vitit 2018 janë "mbrojtësit dhe përpjekjet për të vërtetën".

Përveç Jamal Khashoggi-it, "mbrojtësit" e tjerë janë stafi i “Capital Gazette” të qytetit Anapolis që ndodhet në shtetit amerikan të Merilendit. Pesë anëtarë të kësaj gazete u vranë gjatë një shpërthimi masiv në zyrat e saj në muajin qershor.

Gjithashtu u nderua edhe gazetarja filipinase Maria Ressa, e arrestuar lidhur me akuza për evazion fiskal si dhe gazetarët e agjencisë “Reuters” Wa Lone dhe Kyaw Soe Oo, të burgosur në Mianmar për rreth një viti.

Revista citon Komisionin për Mbrojtjen e Statistikave të Gazetarëve që vë në dukje se në 2017-n janë burgosur 262 gazetarë dhe se grupi pret që numri i tyre të jetë i lartë sërisht edhe këtë vit.

Një nga redaktorët e revistës Karl Vick shkruante, "kjo duhet të ishte një periudhë kur demokracia duhet të bënte përpara" por "në vend të kësaj, po sprapset".

Ndërsa "despotët tradicionalë" favorizonin censurën pas Luftës së Ftohtë, shkruante zoti Vick, “despotët modernë” po "nxisin mosbesimin për faktet e besueshëm" dhe "po lulëzojnë në çoroditjen që ofrojnë mediat sociale".
Zoti Vick shkruante në vazhdim se "kjo botë udhëhiqet, në një farë mënyre, nga një President amerikan, që ka përqafuar despotizmin dhe sulmet ndaj shtypit me një ton shqetësues".

Në mediat sociale dhe në tubimet e fushatës, Presidenti Donald Trump ka akuzuar rregullisht mediat se janë "armiku i popullit".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG