Lidhje

Agresiviteti i Rusisë dhe Kinës po teston vendosmërinë e Perëndimit


Rusia dhe Kina janë disa nga vendet që po përpiqen të testojnë vendosmërinë e fuqive tradicionale, thuhet në një raport të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër. Siç njofton nga Londra korrespondenti Henry Ridgwell, raporti thotë se fuqitë sfidante po testojnë me këmbëngulje tolerancën e Perëndimit ndaj formave të ndryshme të agresionit, që nga zhvillimi i luftërave përmes palëve të treta e deri tek sulmet kibernetike.

Forcat ruse kapën këtë javë tre anije të marinës ukrainase në Detin Azov pranë Krimesë, territor të cilin Rusia e aneksoi me forcë në vitin 2014. Moska pretendon se këto janë ujëra ruse. Por, në një marrëveshje të nënshkruar në vitin 2003 mes Moskës dhe Ukrainës u ra dakord që Deti Azov do të përdorej bashkarisht.

Ukraina paralajmëron se tashmë portet e saj në Detin e Zi janë të izoluara. Një urë e ndërtuar nga Rusia për të krijuar lidhjen me Krimenë, tashmë kufizon edhe përmasat e anijeve që mund të kalojnë Ngushticën e Kerçit.

Objektivi është ndryshimi i realitetit në terren – pjesë e strategjisë së Kremlinit që po teston Perëndimin – thotë Nick Redman, bashkëautor i raportit të Studimit Strategjik.

“Ata po testojnë tolerancën, po kërkojnë pikat e dobëta, po masin nivelin e vendosmërisë të vendeve të tjera përmes veprimeve që janë përgjithësisht agresive, por nën pragun e gjesteve për të cilat duhet një përgjigje ushtarake”, thotë zoti Redman.

Raporti përshkruan një garë mes fuqive aktuale dhe fuqive sfidante.

Irani gjithashtu akuzohet se po zhvillon beteja tolerance duke përdorur njësitë e Gardës Revolucionare dhe grupeve vasale në Lindjen e Mesme për të destabilizuar vende të tjera, si Siria.

Aktivitetet e Pekinit në Detin e Kinës Jugore shihen si pjesë e një strategjie për të testuar vendosmërinë e Perëndimit në këtë zonë.

“Kina nuk ka përdorur marinën, por rojen bregdetare dhe aftësitë e tjera detare, për të avancuar dalëngadalë në Detin e Kinës Jugore. Qartësisht, fushata e ndërtimit të ishujve dhe ngritja e infrastrukturës përreth tyre, megjithëse nuk po konfrontohet me dikë drejtpërsëdrejti, po ndryshon sidoqoftë realitetin në terren”, thotë zoti Redman.

Pra, si duhet të përgjigjen ata që po bëhen objekt i kësaj lufte tolerance? Zoti Redman përmend reagimin e Britanisë ndaj përpjekjes për helmimin kimik të një ish-agjenti të dyfishtë në territorin britanik, për të cilën Londra fajësoi GRU-në, shërbimin rus të zbulimit ushtarak.

“Pamë një përgjigje të fuqishme dhe asimetrike. Sanksione, një solidaritet të jashtëzakonshëm të aleatëve në dëbimin e diplomatëve, si dhe një operacion informimi disa mujor për të ekspozuar sistematikisht aktivitetin e GRU-së”, thotë zoti Redman.

Autorët e raportit thonë se kjo epokë e re gare gjeopolitike kërkon rregulla të reja për sjelljen ndërkombëtare, por negocimi i një kuadri të tillë global është plot vështirësi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG