Lidhje

Rihapet pikëkalimi kufitar i Tihuanës 


U rihap sot pika kufitare e Tihuanës, më e ngarkuara në botë, që lejon qarkullimin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara. Pikëkalimi ishte mbyllur për pak kohë në bazë të rregulloreve të reja federale që nuk lejojnë shtetasit e huaj të kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara nëse nuk hyjnë nga një pikë e caktuar kufitare. Urdhëri i gjykatësit pengon zbatimin e rregullores federale për një muaj, deri kur çështja të dalë në gjykatë: Rihapja u realizua në përputhje me urdhëresën e një gjykatësi federal.

Administrata Trump thotë se imigrantët nuk duket se kanë baza ligjore për t’u pranuar në Shtetet e Bashkuara. Më 9 nëntor administrata nxori një një proklamatë ku thuhej se duheshin marrë masa për të penguar valën e imigrantëve që nuk kanë të drejtë azili. Si rezultat pikëkalimi i Tihuanës u mbyll për pak kohë.

Unioni Amerikan për të Drejta Civile menjëherë ngritën padi kundër rregulloreve federale dhe me vendim të gjykatësit federal, pikëkalimi kufitar i Tihuanës është rihapur deri më 19 dhjetor kur çështja të dalë në gjyq.

Tani që pikëkalimi u hap, mijëra imigrantë që kërkojnë azil përballen me një tjetër pengesë të vështirë në kufi, në formën e barrierave me tela me gjemba dhe patrullave kufitare që mbështeten nga trupa ushtarake.

“Do të luftoj për ta fituar statusin. Nëse nuk më japin statusin e azilantit në Shtetet e Bashkuara, do ta kërkoj këtu në Meksikë. Do të jepem me mish e shpirt për të arritur ato që më nevojiten; do të jap gjithçka,” thotë një refugjat nga Hondurasi.

Imigrantët janë pritur me thirrje armiqësore nga banorët në Tijuana, të cilët u thërrasin të kthehen pas.

Presidenti Trump vazhdon të ndezë opinionin publik kundër imigrantëve, duke i portretizuar si banda kriminale dhe duke e cilësuar karvanin e imigrantëve si “pushtim”.

Vetë imigrantët shprehen të shtangur që njerëzit i shohin si kriminelë të dhunshëm, duke thënë se e kanë marrë këtë rrugë për t’i shpëtuar dhunës dhe bandave në vendet e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG