Lidhje

Analistët për bisedimet Kosovë - Serbi


Analistët për bisedimet Kosovë - Serbi
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:45 0:00

Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një periudhë që është cilësuar përfundimtare të bisedimeve, për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe presidentët e dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, në ligjërimin e tyre politik kanë përfshirë edhe mundësinë e ndryshimit të kufijve.

Por, a po vazhdon kjo ide të ketë përkrahje në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel?

Naim Rashiti, drejtor ekzekutiv i Grupit Ballkanik për hartimin e politikave, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës, se çështja e ndryshimit të kufijve vazhdon të mbetet në tryeze si mundësi për një zgjidhje përfundimtare.

“Një marrëveshje e tillë e cila do të përfshinte njohjen dhe që do të mund të përfshinte ndryshimin e kufijve, assesi nuk do të jetë ndarje e njëanshme por mund të jetë eventualisht ndryshim i kufijve në veri dhe Luginë të Preshevës. Por, është një prej versioneve që kabineti i zonjës Mogherini vazhdon të procesoj me të”,tha zoti Rashiti.

Ai thotë se përqendrimi i lehtësuesit të bisedimeve është të sigurojë një projekt marrëveshje, e cila pastaj do të vendoset në një format për këshillime përfundimtare. Sipas tij, bisedimet mbeten të mbyllura në qarqe shumë të ngushta në Bruksel dhe me këshillime me Departamentin amerikan të Shtetit.

“Pritjet amerikane dhe të Bashkimit Evropian janë që deri në mars ose prill të ketë një projekt-marrëveshje dhe të ketë eventualisht një konferencë përfundimtare e cila do ta përmbyllte procesin. Këto janë pritjet e qarqeve kryesore e që ka shumë pak besim që mund të kryhet”,tha ai.

Zoti Rashiti thotë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, është thelbi i këtyre bisedimeve.

Por, bisedimet aktuale kanë nxjerrë në pah ndarjet e thella politike në Kosovë, ku partitë politike nuk po arrijnë një pajtim për mënyrën se si të negociohet me Serbinë.

Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit për bisedimet Kosovë-Serbi, në kuadër të Institutit Demokratik të Kosovës, thotë se pavarësisht nismave të ndryshme për të arritur një konsensus brenda partiak, një gjë e tillë mbetet e vështirë.

Shohim që ka iniciativa më të mëdha por mungon gatishmëria e partive politike parlamentare qoftë në pushtet apo opozitë për të arritur deri te një marrëveshje për atë se cili duhet të jetë qëndrimi i shtetit të Kosovës në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi, qoftë temat të cilat duhet të diskutohen, ekipi negociues, pritshmëritë e kështu me radhë”, tha ajo.

Zonja Krasniqi thotë se nëse arrihet një marrëveshje nga presidenti Thaçi pa një konsensus të brendshëm partiak, pasojat do të jetë të mëdha.

Vetëm nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje pa një dakordim qoftë të qeverisë apo të parlamentit mund ta çojë prapë Kosovën në një situatë sikurse ajo që kemi parë më herët por pasojat e së cilës mund të jenë edhe më të rënda pasi që ky proces ndërlidhet me rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, me atë që njohim si njohje reciproke, integrimin e komunitetit serb në Kosovë dhe me qëndrueshmërinë e jashtëm dhe të brendshëm, pra mund të ndikohet negativisht në shumë aspekte nëse ka një mungesë të konsensusit dhe një marrëveshje eventuale pa arritur këtë konsensus”, tha ajo.

Zoti Rashiti thotë se Kosova do të duhej të ishte më e përgatitur për procesin sepse mundësia që Serbia në fund të tërhiqet nga njohja e Kosovës, është më e madhe se sa arritja e një marrëveshjeje.

“Nëse dështon faza e dialogut për shkak të mos përgatitjes dhe mos gatishmërisë së Kosovës, do të jetë shumë e kushtueshme për vendin. Në anën tjetër, nëse dialogu ecë dhe Serbia prapë do të tërhiqej, do të jetë shumë e kushtueshme për Serbinë. Kosova po e merr një çmim kësaj radhe në raport me miqtë të cilën asnjëherë nuk e ka pasur dhe i cili rrezikon t’i kushtoj shumë dhe kjo është ekskluzivisht për shkak të pesë apo gjashtë udhëheqësve të partive politike në Kosovë dhe ekskluzivisht lidhet me udhëheqës dhe subjekte politike”, tha ai.

Idetë që do të mund të përfshinin edhe ndryshimin e kufijve, nxitën reagime të shumta në Kosovë dhe në Serbi, por edhe ndarje në skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do ta pranonin një marrëveshje që arrihet mes palëve dhe atyre që druajnë se prekja e kufijve, mund të nxisë lëvizje të ngjashme edhe në pjesët tjera të Ballkanit, që ende nuk është rimëkëmbur nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG