Lidhje

Meta-Rama, replika për Ministrin e Brendshëm


Në Shqipëri presidenti Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama u përfshinë sot sërish në një shkëmbim deklaratash, pas në zyrën e Kreut të Shtetit që prej ditës së djeshme shkoi sërish propozimi për emërimin e zotit Sadër Lleshi, si ministër i Brendshëm.

Përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi, zoti Meta shpjegoi se ka nisur “procesin e bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse për të marrë përgjigje të qarta, të plota dhe shteruese ndaj të gjitha çështjeve për të cilat Presidenti nuk mundi të sqarohej herën e parë, pavarësisht nga përpjekjet e tij të vazhdueshme për bashkëpunim”. Presidenti sqaroi se “lidhur me këtë proces të ri, ka vendosur të informojë mbi kërkesat e tij edhe Kryetarin e Kuvendit, pasi procedura e emërimit të një ministri është proces bashkëpunimi i detyrueshëm e kushtetues midis tre institucioneve (Kryeministri, Presidenti, Kuvendi).

Nuk vonoi përgjigja nga Këshilli i Ministrave. Edhe zoti Rama zgodhi që qëndrimin e tij ta shprehë përmes Drejtorit të tij të Komunikimit, Endri Fuga. Fillimisht “Kryeministri përshëndet përpjekjen e Presidentit për të kërkuar "përgjigje të qarta, të plota dhe shterruese, ndaj të gjitha çështjeve", për të cilat, siç theksohet në deklaratë, nuk kishte mundur të sqarohej herën e parë. Zoti Rama megjithatë vë në dukje se takimi i parë mes tyre ishte zhvilluar me kërkesën e tij “pas letrës së dërguar nga Presidenti për të shprehur refuzimin e paargumentuar të Gjneral Sandër Lleshit” dhe se “Presidenti nuk ka kërkuar asnjë lloj sqarimi nga Kryeministri”.

Përmes përgjigjes së zotit Rama mësohet se Kreu i Shtetit ka nisur një sërë pyetjesh disa institucioneve. Kryeministri thekson se “e siguron opinionin publik se ditën e hënë, Presidenti Meta do të marrë përgjigje të qarta e të plota, lidhur me pyetjet e tij të dërguara shkresërisht”, thuhet në deklaratën e tij, ndërsa shtohet se “po në funksion të adresimit shterrues të problemit, që Presidenti i Republikës nuk e ka ngritur si problem në bisedën me Kryeministrin, por e ka ngritur shkresërisht, në forme pyetësori drejtuar Ministres së Mbrojtjes, vetëm dje, Presidenti do të marrë bashkë me përgjigjet edhe një zgjidhje shterruese, e cila nuk lë më asnjë shteg për interpretime të asnjë lloji. Për asnjë palë”, nënvizon deklarata e Kreut të Qeverisë.

Një javë më parë Presidenti Meta refuzoi të firmoste dekretin për emërimin e zotit Lleshi. Motivet zyrtare të këtij vendimi nuk janë bërë ende zyrtare, dhe nuk ka as dhe një akt zyrtar të Kreut të Shtetit për vendimin e tij, përveç letrës dërguar Kryeministrit Rama përmes së cilës shprehet se “nuk ka munudr të krijojë bindjen e plotë për t’i dhënë besimin zotit Lleshi".

Qëndrimi i zotit Meta u shoqërua me polemika të shumta. Gjatë fjalës së tij në parlament, ditën e hënë, zoti Rama këmbënguli në faktin se Presidenti nuk mund të refuzojë emërimin e një anëtari të Qeverisë. Por, të premten, Kreu i Shtetit, edhe sot u shfaq i bindur se ka vepruar drejt, ndërsa u pyet nga gazetarët për motivet ligjore të vendimit të tij: “Përsa i takon anës ligjore padashur të jap leksione për Kushtetutën, por të gjithë amatorët, diletantët apo atyre që janë të njëanshëm, do t’i ftoja edhe një herë të lexojnë Kushtetutën, kompetencat e Presidentit dhe se akt formal apo ceremonial është vetëm betimi te Presidenti”, u shpreh zoti Meta.

Zotit Sandër Lleshi ju besua megjithatë drejtimi i Ministrisë së Brendshme, ndonëse “de jure” vetëm në rolin e një zëvendësministrit. Një situatë për të cilën kanë reaguar si ambasada amerikane ashtu dhe delegacioni i Bashkimit europian duke vënë theksin te nevoja që “ministria e Brendshme të jetë plotësisht funksionale”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG