Kryeprokurorit në Dhomat e Specializuara, siç quhet Gjykata e Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë, Jack Smith, po qëndron në vizitën e tij të parë në Kosovë, që kur mori këtë post.
Të martën ai u takua me ministrin e Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri si dhe me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, dhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.
Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e ministrit Tahiri thuhet se ai ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të përmbushur të gjitha detyrimet ndaj Dhomave të Specializuara.
"Gjatë takimit, ministri Tahiri kërkoi nga Prokurori Smith që qytetarët që potencialisht mund të jenë subjekt i paraqitjes pranë këtyre Dhomave, të trajtohen në përputhje me normat dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut, dhe të bazuara në standardet më të avancuara juridike ndërkombëtare', thuhet në njoftim.
Kryeprokurori Smith nuk ka bërë ndonjë koment dhe takimet më përfaqësues vendas e ndërkombëtarë po mbahen larg syve të medieve.
Kryeprokurori Smith, që filloi punën në shtator, u emërua në këtë post në mujain maj duke pasuar prokurorin amerikan, David Schwendiman, i cili u largua nga detyra më 31 mars.
Para se të emërohej në këtë post, prokurori Smith drejtonte seksionin e padive të Korporatës Spitalore të Shteteve të Bashkuara, organizata shëndetësore joqeveritare më e madhe në Shtetet e Bashkuara.
Nga shkurti i viti 2015 deri në gusht të vitit 2017, ai ishte ndihmës prokuror i parë federal dhe ushtrues i detyrës së prokurorit federal për qarkun e Tennesseet.
Ai ka kryer edhe detyra të tjera më rëndësi në fushën e drejtësisë në Shtetet e Bashkuara.
Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat dhomat e specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.
Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.
Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.
Më 22 dhjetor të vitit 2017, një grup deputetësh hodhi nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme, duke sfiduar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesor që paralajmëruan për pasoja të rënda nëse ndodhë shfuqizimi i saj.
Në fillim të muajit shkurt të këtij viti, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës të gjetur nën trysni politike, thanë se “gjykata nuk do të shfuqizohet”.
Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe "nuk do të gjykojë një popull, nuk do të gjykojë luftën e asnjë ushtrie dhe asnjë etni".
Facebook Forum