Lidhje

Mijëra trupa amerikane në kufirin me Meksikën


Pentagoni po dislokon 5,200 trupa përgjatë kufirit amerikan me Meksikën. Dërgimi i trupave vjen në përpjekje për të ndihmuar rojën kufitare për t’u përballuar me një karvan migrantësh hondurianë që synojnë të futen në Shtetet e Bashkuara.

Shefi i Komandës Veriore amerikane, Gjenerali Terrence O’Shaughnessy, tha se ushtarët do të mbështesin më shumë se dy mijë pjestarë të Gardës Kombëtare që aktualisht ndodhen në kufi. Autoritetet amerikane thonë se më shumë se gjashtë mijë emigrantë nga Amerika Qendrore janë drejtuar për në Shtetet e Bashkuara.

Brenda Gonzalez është një nënë nga Guatemala që po pret të kërkojë azil në Shtetet e Bashkuara.

“Kemi kohë që udhëtojmë, ndoshta një muaj. Zoti është i madh. Kam takuar shumë njerëz të mirë që më kanë ndihmuar shumë.”

Presidenti Trump ka thënë në mënyrë të përsëritur se vala e madhe e migrantëve që janë drejtuar për në Shtetet e Bashkuara është ‘një pushtim i vendit’ duke shtuar se ushtria po pret për ta.

Shumë prej atyre që kërkojnë të vijnë në Shtetet e Bashkuara duan të largohen nga ajo që e cilësojnë si, kërcënim të përditshëm të jetës dhe mungesë punësimi. Ata thonë se duan të largojnë fëmijët e tyre nga ndikimi i përditshëm i bandave.

Nga ana tjetër, Presidenti Trump ka thënë se kushdo që dëshiron të hyjë në Shtetet e Bashkuara, duhet ta bëjë këtë përmes procesit ligjor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG