Në SHBA, një person që thërriste "të gjithë hebrenjtë duhet të vdesin" hyri me furi në sinagogën e Pitsburgut gjatë shërbesave të Shabatit të shtunën, duke qëlluar pa dallim dhe duke vrarë besimtarë.
Zyrtarët thanë se 11 vetë u vranë brenda sinagogës Tree of Life.
Byroja Federale e Hetimeve ka marrë në dorë hetimin e incidentit "pasi ai përkufizohet si një krim urrejtjeje", u tha gazetarëve pranë sinagogës drejtori i sigurisë së Pitsburgut Wendell Hissrich.
Hissrich tha se gjashtë vetë u plagosën, duke përfshirë katër oficerë policie. Ai tha se skena brenda sinagogës është "e tmerrshme. Një nga më të rëndat që kam parë", tha zoti Hissrich.
Ai tha se pa ndërhyrjen në kohë të policisë, tragjedia do të kishte qenë shumë më e rëndë.
Njoftimet e medias e identifikojnë të dyshuarin në arrest si 46-vjeçarin Robert Bowers, nga qyteti i Pitsburgut. Sipas autoriteteve, ai u dërgua në një spital për trajtimin e plagëve të marra.
Mesazhet në mediat sociale të bëra nga Bowers tregojnë urrejtjen e tij ndaj hebrenjve dhe në një mesazh ai deklaron: "Nuk mund të pres më ndërsa njerëzit e mi masakrohen ... po shkoj".
Presidenti Donald Trump foli me gazetarët në bazën ajrore Andrews në Maryland menjëherë pas incidentit. Ai shprehu keqardhje dhe tha se Shtetet e Bashkuara duhet të forcojnë ligjet në lidhje me dënimin me vdekje. Ai tha se njerëzit që kryejnë krime të tilla "duhet të vuajnë me të vërtetë çmimin përfundimtar". Ai gjithashtu sugjeroi që të shtënat mund të ishin parandaluar nëse kishte brenda një roje të armatosur.
I pyetur nëse të gjitha ndërtesat e besimeve fetare në Amerikë duhet të kenë roje të armatosura, presidenti Trump u përgjigj: "është sigurisht një opsion" në një "botë me shumë probleme".
Guvernatori i Pensilvanisë, Tom Wolf, lëshoi një deklaratë duke e quajtur incidentin "një tragjedi absolute". Ai tha se ka folur me udhëheqësit vendorë dhe do të sigurojë burime për të ndihmuar forcat e zbatimit të ligjit dhe ekipet e shpëtimit.
"Këto akte dhune të pakuptimta nuk na përfaqësojnë ne si amerikanë", tha ai.
"Jam i zemëruar dhe i tmerruar nga sulmi në një sinagogë të Pitsburgut sot," tha kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, i cili është diplomuar nga një shkollë e mesme në Pensilvani.
Sinagoga Tree of LIfe i ka rrënjët e saj në fillim të Judaizmit të organizuar në Pitsburg në mesin e viteve 1860 dhe ka shërbyer në ndërtesën e saj të tanishme që nga viti 1946.
Facebook Forum