Hetuesit turq zhvilluan sërisht kërkime të enjten në konsullatën saudite që ndodhet në Stamboll si dhe në rezidencën e konsullatës aty pranë, lidhur me zhdukjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, me banim në Shtetet e Bashkuara.
Ekipet mjeko-ligjore patën kryer kërkime në konsullatë edhe një herë tjetër të hënën për të siguruar prova rreth asaj që ndodhi me gazetarin pas hyrjes së tij në godinën e përfaqësisë diplomatike më 2 tetor. Që prej asaj dite, Jamal Khashoggi një kritik i monarkisë saudite nuk është parë më.
Zyrtarët turq thonë se agjentët sauditë e kanë vrarë dhe copëtuar trupin e gazetarit brenda në konsullatë ndërsa sipas zyrtarëve sauditë Jamal Khashoggi është larguar nga godina. Por asnjë nga autoritetet e të dy vendeve nuk ka ofruar publikisht prova lidhur me versionin që pretendon mbi ngjarjen.
Ditët e fundit sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u takua me udhëheqësit e Arabisë Saudite dhe të Turqisë për të shprehur shqetësimin lidhur me rastin dhe dëshirën e presidentit Donald Trump për të hedhur dritë mbi ngjarjen.
Zoti Pompeo pritet të informojë presidentin Trump rreth bisedave që ka zhvilluar të enjten në orën 10 në Shtëpinë e Bardhë. Të mërkurën zoti Trump tha se dëshiron të ketë prova audio dhe video nga Turqia, nëse ato ekzistojnë, siç tha ai.
Facebook Forum