Lidhje

SHBA reagon me kujdes ndaj zhdukjes së gazetarit saudit


Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo po i bën thirrje Arabisë Saudite që të mbështesë një hetim të plotë dhe transparent mbi zhdukjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, një banor i përhershëm amerikan dhe kontribues i gazetës Washington Post. Një mike e zotit

Khashoggi, analistja e politikës së jashtme, Rula Jebreal, tha për Zërin e Amerikës se nëse konfirmohen njoftimet se gazetari Khashoggi është vrarë në konsullatën saudite në Turqi, qeveria amerikane duhet të ndalë shitjen e armëve për Arabinë Saudite dhe të rivlerësojë marrëdhëniet e saj me Rijadin. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine njofton nga Departamenti i Shtetit.

Fati i gazetarit Jamal Khashoggi, dikur këshilltar i qeverisë saudite dhe redaktor e gazetar i njohur, mbetet një mister një javë pasi ai hyri në konsullatën saudite në Stamboll për të marrë një dokument martese. E fejuarja e tij turke po mbante telefonin e tij dhe po e priste jashtë, dhe ajo tha se 11 orë më vonë u largua pasi zoti Khashoggi nuk doli nga ndërtesa. Kamerat e sigurisë tregojnë se ai ka hyrë në konsullatë, por nuk ka pamje filmike të largimit të tij. Qeveria saudite mohon çdo përfshirje në zhdukjen e tij.

Në forumin "Fytyra e Re e Arabisë Saudite" në Uashington të martën, organizatorët thanë se zoti Khashoggi duhej të ishte pjesë e panelit.

Analistja e politikës së jashtme, Rula Jebreal, i shpjegoi Zërit të Amerikës njoftimet e policisë turke mbi atë që mund të ketë ndodhur brenda konsullatës saudite.

"Ata po flasin për vrasje, për copëtim të trupit të gazetarit, mikut tim Jamalit. Ata po flasin për kuti të nxjerra jashtë konsullatës, ku ata besojnë se ishte futur trupi i tij. Këto janë pohimet e policisë turke, për të cilat nuk ka konfirmim", thotë Rula Jebreal me Universitetin e Majemit.

Reagimi i Shteteve të Bashkuara ka qenë i kujdesshëm.

"Që nga Sekretari e deri zyrtarët e tjerë të nivelit më të ulët, ne kemi qenë të angazhuar në këtë çështje. Ne e kemi ndjekur këtë çështje. Unë e kuptoj që Presidenti synon të flasë me sauditët, kështu që unë nuk do t’i paraprijë bisedave që Presidenti mund të ketë."

"Unë jam i shqetësuar për këtë, nuk më pëlqen të dëgjoj për këtë, dhe shpresojmë se kjo do të zgjidhet. Tani për tani, askush nuk di asgjë për këtë, por po qarkullojnë disa histori mjaft të këqija. Nuk me pëlqen kjo", tha presidenti Trump.

Zonja Jebreal tha se Princi saudit Mohammed bin Salman ishte i zemëruar që Khashoggi kishte një platformë kaq të rëndësishme si Washington Posti për shkrime kritike. Ajo theksoi se nëse njoftimet për vrasjen e tij konfirmohen, Perëndimi duhet të ndalë blerjet e armëve nga sauditët dhe të ngrijë asetet e princit dhe sunduesve të tjerë sauditë.

Rula Jebreal, Universiteti i Majemit

"Nëse jemi të shqetësuar për shkeljet e të drejtave të njeriut vetëm kur armiku i kryen ato, kur Irani dhe të tjerët i kryejnë ato, atëherë ne vërtetë nuk jemi aq të shqetësuar nga shkelja e të drejtave të njeriut dhe dërgojmë mesazhin se ne jemi bashkëpunëtorë dhe ne jemi në rregull me këtë, dhe Princi mund të bëjë vrasje pa u ndëshkuar."

Presidenti Donald Trump bëri udhëtimin e tij të parë jashtë vendit në Arabinë Saudite në maj të vitit 2017, duke vazhduar një traditë të gjatë të Uashingtonit me lidhje të ngushta ekonomike dhe diplomatike me Rijadin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG