Koreja e Veriut thotë se do të shkatërrojë kompleksin e saj kryesor bërthamor në Yongbyon nëse Shtetet e Bashkuara marrin "masa reciproke" në bazë të marrëveshjes gjithëpërfshirëse të arritur nga udhëheqësit e dy Koreve. Marrëveshja u njoftua të mërkurën në Phenian nga udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe Presidenti i Koresë së Jugut Moon-Jae-in në fund të ditës së dytë të samitit tre-ditor mes tyre.
Kim Jong Un tha se marrëveshja ka një rëndësi historike.
"Ne kemi nënshkruar një marrëveshje ushtarake për t'i dhënë fund historisë së konflikteve dhe armiqësive tragjike që kanë ekzistuar për dekada. Ne gjithashtu u zotuam ta bëjmë gadishullin Korean tokë të paqes pa armë bërthamore dhe kërcënime", tha udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Para njoftimit të marrëveshjeve, Moon dhe Kim sot ndoqën nënshkrimin e një marrëveshjeje nga shefat e tyre ushtarakë për të ulur tensionet në kufi në ditën e dytë të bisedimeve në Phenian.
"Qytetarë të Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut. Epoka e një Gadishulli Korean pa luftë ka filluar. Koreja e Jugut dhe Koreja e Veriut sot kanë rënë dakord të heqin dorë nga kërcënimet që ekzistojnë në Gadishullin Korean që mund të shkaktojnë luftë. Ne kemi rënë dakord të krijojmë një komision të përbashkët ushtarak për të zhvilluar diskutime të rregullta për zbatimin e marrëveshjes ushtarake", tha Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in.
Përveç kësaj, dy Koretë tani po planifikojnë të bëjnë kërkimet e tyre të para të përbashkëta për gjetjen e trupave të ushtarëve të vrarë gjatë Luftës së Koresë në vitet 1950-53.
Dy udhëheqësit gjithashtu thanë se Kim Jong Un do të vizitojë Seulin para fundit të këtij viti. Nëse realizohet, kjo do të ishte vizita e parë e një udhëheqësi të Koresë së Veriut në kryeqytetin e Koresë së Jugut që nga ndarja e gadishullit në luftën koreane të viteve 1950-53.
Facebook Forum