Lidhje

Nismë për të mbështetur tolerancën


Në klimën e sotme politike të polarizuar, kur ndasitë dhe mosbesimi ndaj njerëzve të racave, besimeve dhe orientimeve të ndryshme seksuale janë bërë moto të thirrjeve për betejë, si t’i mësojmë të rinjtë të bëhen më tolerantë? Kjo është një temë që po përpiqet të trajtojë nisma "S’ka vend për urrejtje", duke filluar me besimin se urrejtja dhe paragjykimet mund të çmësohen. Programi është duke u zbatuar në qindra shkolla amerikane. Mësuesit thonë se ideja është që të fillohet herët - me akte të vogla mirësie.Korrespondentja Helena Gjorgjeviç e Zërit të Amerikës shkoi në një shkollë fillore në Rockville, në periferi të Marylandit, për të mësuar më shumë.

Në shkollën fillore “College Gardens”, fëmijët janë të ekspozuar ndaj diversitetit në një moshë të re, ku nxënësit bisedojnë me fëmijë familjet e të cilëve vijnë nga më shumë se 40 vende të ndryshme të botës.

“’College Gardens’ është një shkollë shumë e mire dhe ne kemi disa fëmijë fantastikë. Por asnjë person në këtë shkollë nuk është i përsosur. Vazhdimisht punojmë dhe përpiqemi të vazhdojmë t’i mësojmë fëmijët, të rriten dhe të pranojnë njëri-tjetrin", thotë Stacey Rogovoy, drejtoreshë e shkollës.

Nisma “S’ka vend për Urrejtje” fillon me komisionet e drejtuara nga nxënësit. Të udhëhequr nga mësuesit dhe prindërit, komisionet mendojnë për mënyrat për të nxitur mirësinë – që nga bërja e një komplimenti, hapja e derës për dikë, e deri ideja për t’u siguruar që askush nuk e ha drekën vetëm.

"Dua të ndihmoj fëmijët në mbarë botën që preken nga bulizmi, pasi askush nuk duhet të ndihet i dhunuar", thotë Michelo, nxënës i klasës së katërt.

Liga Kundër-Shpifjeve e filloi iniciativën në vitin 1999, pas masakrës së vrasjeve në shkollën e mesme Kolumbajn në Kolorado. Sot, programi është aktiv në më shumë se 1,700 shkolla amerikane.

“Në zonën e Uashingtonit e filluam iniciativën në fillim të vitit 2016, me të vërtetë si një përgjigje ndaj rritjes së klimës së retorikës nga fushatat politike dhe në mbarë vendin e cila hyn pastaj në klasat e shkollave tona”, thotë Seth Gordon-Lipkin me Ligën Kundër-Shpifjeve.

Disa nxënës kanë gjetur frymëzim tek aktivistët e rinj si Hana Mangat. Në moshën 12 vjeçare, ajo bashkë-themeloi organizatën rinore "Sikh Kid2Kid", pasi gjashtë besimtarë u qëlluan në një tempull Sik nga një supremacist i bardhë në Wisconsin.

“Ne ndikohemi nga ambjenti ku jetojmë, pavarësisht nëse na thuhen gjërat drejtpërdrejt apo jo. Mendoj se tani për tani nuk po mësohemi sa duhet se urrejtja është e papranueshme", thotë Hana.

Iniciativa shihet gjithashtu si një mënyrë për të parandaluar vetminë dhe ankthin që mund të kontribuojë në problemet e shëndetit mendor dhe ndosjta edhe në tragjeditë siç janë vrasjet në shkolla.

“Është natyra njerëzore - të gjithë duam të lidhemi me dikë dhe kështu, pavarësisht se si i shikojmë gjërat, në aspektin e dallimeve tona apo atyre që besojmë, zakonisht ka gjithmonë një pikë që mund të na lidhë", thotë mësuesja Shauntae Fitcheard Spaugh.

Pra, çfarë mund të bëjnë fëmijët e vegjël për të mbrojtur një shok që po ngacmohet?

"Unë do t'u thoja që të ndalonin. Ne jemi të gjithë njësoj, edhe pse jemi nga raca të ndryshme”, thotë Nate, nxënës në klasën e katërt.

Është ky mesazhi që programi po përpiqet të përcjell në shtëpi – përmes cdo nxënësi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG