Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti të premten aktakuzë kundër 12 personave nën dyshimet për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në rastin e njohur në Kosovë si "veteranët".
Në një njoftim të prokurorisë thuhet se "nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej 68 milionë eurosh".
Prokuroria i ka propozuar gjykatës që të urdhërojë "ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë deri në përfundimin e procedurës penale" dhe që gjykata të marrë vendim që të gjithë përfituesve të kundërligjshëm t'u ndalohet marrja e pensionit si veteranë.
Ndonëse prokuroria nuk e ka bërë të ditur identitetin e të akuzuarve, mediat lokale në Kosovë thanë se ata janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbim Demaliaj, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku dhe Smajl Elezaj.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, u shpreh "krenar me Kosovës për këtë hap të rëndësishëm për luftën kundër korrupsionit".
Çështja e listave të veteranëve të luftës u ringrit pasi që ditë më parë prokurori i Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, Elez Blakaj, që po e trajtonte këtë çështje, dha dorëheqje duke akuzuar kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi për ndërhyrje dhe përpjekje për frikësim, ndërsa vuri në pah se sic tha ai, është kërcënuar gjatë trajtimit të keqpërdorimeve me hartimin e listave të veteranëve.
Ish prokurori Blakaj, në një letër të hapur, tha se mund të ishin 19 mijë përfitues të rremë të skemës së pensioneve për veteranët e luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pohimet e tilla nxitën diskutime rreth numrit të saktë të tyre.
Ish drejtues e pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare, japin shifra të ndryshme për numrin e veteranëve. Ish-komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sylejman Selimi, në një intervistë nga burgu për Gazetën Express tha se pas lufte janë identifikuar rreth 13 mijë ushtarë.
Anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve thotë se numri prej 37 mijë veteranësh që gëzojnë pensionin prej 170 eurosh, nuk është i lartë, por listat nëse duken të fryra, problemi është tek ligji për veteranët që parasheh përfshirjen në lista të shumë kategorive që kanë ndihmuar luftën e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Facebook Forum