Presidenti amerikan Donald Trump mund të ketë habitur shumë të pranishëm në një tubim të fushatës të martën në mbrëmje, kur nuk tha asgjë rreth dënimit të menaxherin e tij të mëparshëm të fushatës, Paul Manafort nën akuzat për mashtrim të taksave dhe llogarive bankare. Manafort përballet me mundësinë e dënimit me burg për disa dekada.
Duke folur në Virxhinian Perëndimore, Trump nuk përmendi gjithashtu as emrin e ish-avokatit të tij, Michael Cohen, edhe pse disa orë më parë Cohen u shpall fajtor për akuzat federale në Nju Jork dhe pranoi se kishte paguar para me udhëzimin e presidentit Trumë për të blerë heshtjen e dy personave.
"E di se presidenti është duke shkuar në tubim. Ai më mirë të mos flasë për falje për Michael Cohen apo Paul Manafort sonte apo në çdo kohë në të ardhmen", tha Senatori demokrat Chuck Schumer
Është e paqartë nëse Presidenti Trump do të marrë parasysh këshillat e senatorit Schumer, por në tubim ai përsëri kritikoi mediat kryesore dhe prokurorët që po hetojnë nëse presidenti bashkëpunoi me Rusinë në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.
"Lajmet e rreme dhe gjuetia e shtrigave. Është një kombimin i madh. Ku është bashkëpunimi i fshehtë? E dini, ata ende po hetojnë për këtë bashkëpunim. Ku është bashkëpunimi? Nuk keni gjetur asgjë."
Para se të mbërrinte në tubim, presidenti Trump e përmblodhi me këto fjalë dilemën ligjore të ish këshilltarëve të tij.
"Është për të ardhur keq. Ndjehem keq për të dy. Dua t’u them se Paul Manafort është njeri i mirë. Ai ka punuar me Ronald Reaganin. Ka punuar me shumë njerëz në vite. Ndjehem shumë i dëshpëruar për ta. Kjo nuk më përfshin mua sigurisht. "
Cohen i tha një gjykatësi federal në Nju Jork të martën se vendimi i tij për të shkelur ligjet e financimit të fushatës është bërë në bashkëpunim dhe në drejtimin e kandidatit të atëhershëm, presidentit Trump.
Një nga avokatët e presidentit Trump, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut Rudy Giuliani, lëshoi një deklaratë pas pranimit të fajësisë nga Cohen, ku thuhet, "Nuk ka asnjë pretendim për ndonjë shkelje nga presidenti në akuzat e qeverisë kundër zotit Cohen."
Facebook Forum