Eksperti i Politikës së Jashtme, David Phillips thotë se ideja e ndarjes apo e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është alternativa më e keqe për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve. Prof. Phillips, drejtor i programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin Columbia të Nju Jorkut, thotë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të ndërmjetësojnë një zgjidhje që i përgjigjet shqetësimeve të Serbisë por nuk prek sovranitetin e Kosovës. Kolegia Keida Kostreci bisedoi me zotin Phillips.
Zëri i Amerikës: Profesor Phillips, ju jeni kundër idesë së shkëmbimit të territoreve, ose korrigjimit apo ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse dy vendet bien dakord dhe nëse kjo është mënyra e vetme për të ecur përpara, çfarë ka këtu për të qenë kundër, sipas jush?
David Phillips: Nuk është rruga e vetme për të ecur përpara. Ka alternativa të tjera. Për momentin Kosova nuk shumë alternativa të mira, por ndarja ose ndryshimi i kufijve, është mundësia më e keqe. Do të krijonte paqendrueshmëri, do të ishte e rrezikshme, mund të shkaktojë dhunë në Kosovë dhe në Serbi dhe duhet të mos harrojmë se vitet 1990, ishin një periudhë e përgjakshme në Balkanin Perëndimor. Parimi i shteteve demokratike dhe pluraliste është diçka për të cilën shumë njerëz sakrifikuan dhe dhanë jetën. Ne nuk duhet ta braktisim atë parim veçanërisht kur opsione të tjera, që janë më të mira sesa ndarja, ose shkëmbimi i territoreve.
Zëri i Amerikës: Për shembull?
David Phillips: Le të mendojmë se çfarë është e rëndësishme për Serbinë. Së pari duhet të mos harrojmë se Serbia e humbi Kosovën, Kosova nuk do të kthehet kurrë mbrapsht tek Serbia, do të jetë një shtet i pavarur për gjithmonë, kështuqë Serbia duhet të jetë realiste për synimet e veta. Para së gjithash, ajo do që të ketë decentralizim në përputhje me parimet e planit Ahtisaari. Kjo ide është e parashikuar përmes Asociacionit të Komunave Serbe dhe duhet të ketë një elasticitet nga të dyja palët për të përcaktuar autoritetet e AKS-së. Ajo që është e rëndësishme është që Kosova të mos heqë dorë nga funksionet e sigurisë, pra policia dhe gjykatat lokale, duhet të ruajë kompetencat për planifikim lokal dhe urban, si edhe menaxhim dhe pronësi të burimeve natyrore. Përparësia tjetër për Serbinë duhet të jetë mbrojtja e statusit për manastiret serbe, si Deçani. Është e mundur që të zgjidhen këto shqetësime thelbësore, pa komprometuar sovranitetin e Kosovës. Ka ardhur koha që dialogu në Beograd të sjellë në një përfundim. Faje kanë të dyja palët. Serbia është përgjegjëse për vonesat dhe pengimin e dialogut, Komisioni Evropian nuk ka kërkuar me këmbëngulje që Serbia të zbatojë marrëveshjet që janë arritur dhe duke filluar që nga administrata e Presidentit Obama e deri më sot, Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë të angazhuara plotësisht. Pra është koha që udhëheqësit politikë të Kosovës që të rrisin angazhimin për një marrëveshje që u jep përgjigje shqetësimeve thelbësore serbe, duke mbrojtur njëkohësisht parimin e sovranitetit dhe integritetit territorial.
Zëri i Amerikës: Kur them e vetmja rrugë përpara e kam fjalën që është e vetmja rrugë për të cilën të dyja palët mund të bien dakord, sepse të gjitha alternativat që ju përmendët janë të vërteta, por fakti është që Serbia nuk ka rënë dakord për asnjërën prej tyre, prandaj nëse kjo është mënyra që të bien dakord si Beogradi edhe Prishtina, këtë kam parasysh kur them e vetmja rrugë përpara...
David Phillips: Le të jemi të qartë për diçka: Serbia është ajo që po dikton hapat. Serbisë duhet t’i jepen udhëzime nga Komisioni Evropian, nga zonja Mogherini lidhur me ato që janë të mundura të realizohen përmes dialogut Kosovë-Serbi. Ajo që është e mundur është një marrëveshje për Asociacionin e Komunave Serbe dhe mbrojtje për ikonat kulturore dhe manastiret. Ajo që nuk është e mundur është ndarja ose ndryshimi i kufijve. Ajo do të ishte një formulë për dështim dhe do të ishte e rrezikshme dhe një burim paqëndrueshmërie. Dhe nëse Serbia nuk bie dakord, Serbia duhet të përballet me faktin se do të mbetet e izoluar në Evropë, neni 35 (i politikave evropiane të fqinjësisë dhe negociatave për zgjerim) do ta mbajë jashtë BE-së dhe nuk do të jetë në gjendjë të arrijë objektivin e normalizimit, paqes dhe mirëqenies. Serbia ishte agresori, Serbia është përgjegjëse për krime dhe tani duhet të përballet me faktin se Kosovën e ka humbur dhe duhet të arrijë paktin më të favorshëm brenda një periudhe të caktuar. Negociatat nuk mund të vazhdojnë përgjithmonë, duhet të ketë një afat që të arrijmë një pikë finale.
Zëri i Amerikës: E vërteta është se për 20 vjet nuk ka pasur përparim mes Kosovës dhe Serbisë. Atëherë ç’të keqe ka që të provohet kjo rrugë?
David Phillips: Është e rrezikshme, do të destabilizojë rajonin, do të përfshijë transferime të popullatës dhe dhunë. Dhe kjo është vetëm një listë e shkurtër e së keqen me ndarjen ose shkëmbimin e territoreve. Ka alternativa të tjera që janë të zbatueshme, nëse Komisioni Evropian është i gatshëm të luajë rolin e vet, jo vetëm të mbledhë palët për një fotografi së bashku por të angazhohen në diplomaci të vërtetë, ndërmjetësim të vërtetë. Të arrijmë një marrëveshje që është e kënaqshme për Serbinë dhe na jep mundësinë ta zgjidhim këtë problem një herë e mirë dhe të caktojmë një afat. Në fund të mandatit të zonjës Mogherini duhet të kemi një marrëveshje dhe nëse jo atëherë, Serbia duhet të lërë mënjanë aspiratat e saj për BE-në, sepse nuk do të hyjë kurrë në BE nëse nuk ka marrëdhënie të normalizuara me Kosovën, prandaj le të ecim përpara. Mjaft me këto për 20 vjet.
Zëri i Amerikës: Po nëse Kosova merr garanci nga Serbia se do ta njohë, të marrë garanci se do të bëhet e anëtare e Kombeve të Bashkuara, a nuk do të ishte kjo një marrëveshje e favorshme?
David Phillips: E vetmja mënyrë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së është nëse Rusia dhe Kina nuk vendosin veton. Pra garancitë ndërkombëtare mund të tingëllojnë bukur kur flasim para kamerave por në të vërtetë prova qëndron tek rezultatet konkrete.
Zëri i Amerikës: Çfarë mendoni se ndryshoi në komunitetin ndërkombëtar, sepse duket nga deklaratat se Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian mund ta pranojnë këtë ide?
David Phillips: Unë i kam lexuar deklaratat dhe nuk ka asgjë aty që të lërë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara janë dakord me ndarjen. Nuk ka asgjë në intervistën e ambasadorit Delawie që të lërë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara e mbështesin atë. Dhe përsa i takon takimit të kohëve të fundit të Kryeministres dhe zëvendës kryeministrit serb ne Jared Kushnerin, nuk kemi parë një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë për atë takim. Dëgjuam atë që tha Daçiç që përsëriti qëndrimin e tij se të gjitha alternativat janë mbi tryezë. Serbia nuk është ajo që vendos këtu. Komuniteti ndërkombëtar duhet të luajë rolin e tij si ndërmjetës dhe duhet të ketë një marrëveshje të drejtë që i jep mundësi Kosovës të ecë përpara, të njihet dhe Serbia ta pranojë si shtet sovran dhe të pavarur dhe më pas të merremi me çështjet e tjera si vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, anëtarësimi në OKB. Ndarja nuk është rruga e duhur, ndarja është një propozim i rrezikshëm dhe destabilizues. Kjo ide duhet braktisur.
Zëri i Amerikës: Ajo që nënkuptoj unë si ndryshim është që në të kaluarën kjo ide është hedhur poshtë, ndërsa tani dëgjojmë formulime si “të dyja palët duhet të jenë elastike” dhe “ne do të jemi dakord me çfarëdo të bien dakord palët”...
David Phillips: Qeveria amerikane nuk ka një politikë koherente ndaj Kosovës, nuk i kushton asnjë rëndësi Ballkanit Perëndimor. Nuk besoj se duhet të lexojmë më shumë se ç’duhet në këto deklarata të paqarta. Për momentin politika amerikane është ashtu siç ka qenë. E njeh Kosovën me kufijtë aktualë. Kjo nuk ka ndruyshuar. Shtete të tjera që nuk e kanë njohur Kosovën kanë mundësinë të bëjnë të njëjtën gjë që kanë bërë mbi 100 vendet që e kanë njohur. Ne duhet të mendojmë për interesat qendrore të Serbisë dhe mund t’i zgjidhim pa ndërmarrë hapa të rrezikshme drejt ndarjes që do të krijonin destabilizim.
Zëri i Amerikës: Një nga argumentat kryesore në marrëdhëniet ndërkombëtare që bie ndesh me këtë lloj zgjidhjeje është shumë e rrezikshme të ndërtosh shtete në baza etnike dhe në demokraci, shtetet ndërtohet mbi bazat e multietnicitetit. Por e vërteta është se për shumë arsye Veriu nuk është integruar, apo jo...
David Phillips: Po, parimi i pluralizmit dhe demokracisë është një gur themeli i politikës amerikane, si edhe i qëndrimit të BE-së për vendet që duan të anëtarësohen. Realiteti është që nëse BE-ja nuk është gati të ndërmjetësojë një marrëveshje që lejon Serbinë të njohë Kosovën me kufijtë aktualë, atëherë shqiptarët do të fillojnë të mendojnë për bashkimin e territoreve shqiptare dhe të krijojnë një shtet shqiptar që të përfshijë tokat ku jetojnë gjithë shqiptarët. Ky do të ishte një rezultat logjik i dështimit të ndërmjetësimit të BE-së. Prandaj kjo duhet të shërbejë si kambanë alarmi për zonjën Mogherini. Le t’i imponojmë një marrëveshje Serbisë, ta bëjmë tërheqës një kompromis për të dhe të lëvizim përpara. Përndryshe do të fillojmë të ndryshojmë hartën e Evropës Juglindore dhe kjo do të kishte pasoja të paparashikueshme.
Zëri i Amerikës: Por ku do të ishte problemi i bashkimin të Shqipërisë dhe Kosovës, nëse janë dakord të dyja vendet në të ardhmen?
David Phillips: Unë jam neutral ndaj atij propozimi. Nëse shqiptarët, Kosova dhe Shqipëria duan të bashkohen dhe shqiptarët në vende të tjera si Presheva dhe Maqedonia duan të bashkohen me ta, apo të krijojnë një marrëdhënie federale, ky është një vendim që i takon kombit shqiptar. Nuk ka ndonjë gjë të keqe në thelb me bashkimin e territoreve shqiptare. Kjo është linja që po përdor Vuçiç për bashkimin e serbëve. Kjo është pikërisht loja që po luante Millosheviçi, duke përhapur konflikt dhe luftë dhe duke kryer spastrim etnik. Por përpara se kjo të ndodhë, BE-ja duhet të zgjedhë: a do të jetë ndërmjetëse dhe të propozojë një marrëveshje që i mbron komunitetet serbe dhe kulturën serbe, apo do të lejojë hapjen e një Kutie të Pandorës me probleme. 38:54 Nëse BE-ja dështon të ndërmjetësojë një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosobës, nuk ka asgjë që i pengon shqiptarët të mendojnë për opsione të tjera, përfshirë bashkimin e territoreve shqiptare. Është koha që diplomacia të tregojë se mund t’i zgjidhë këto probleme dhe zgjidhja e vetme është që Serbia të njohë Kosovën si një shtet të pavarur dhe sovran. Ndarja ose shkëmbimi i territorit janë thjesht kod për paqartësi dhe kaos dhe dhunë. Nuk janë një alternativë funksionale.
Zëri i Amerikës: Ta zëmë që ky propozim bëhet, hidhet në tryezë dhe Kosova dhe Serbia bien dakord ta bëjnë, pavarësisht nëse është ide e keqe ose e mirë. Çfarë do ta parandalonte realizimin e saj pasi është rënë dakord?
David Phillips: Kjo nuk është marrëveshje që do të bëhet pas dyerve të mbyllura. Duhet të ketë transparencë. Duhet bërë konsultim me kuvendin e Kosovës, shoqëria civile duhet të thotë fjalën e vet. Nuk është një marrëveshje që do të diskutohet dhe arrihet mes Presidentëve dhe pastaj ta paraqisin para publikut të tyre. Popujt e Serbisë dhe Kosovës duhet të thonë fjalën e tyre, ka shumë çështje praktike që duhen zgjidhur: miniera e Trepçes, çfarë të bëhet me pakicën serbe në pjesë të tjera. Duhet një plan efektiv dhe ndarja nuk është një zgjidhje efektive, është një rrugë drejt kaosit, konfuzionit dhe dhunës. Është edhe çështje përgjegjësie. A do të thotë një marrëveshje për ndarje, se çështja e personave të humbur do të harrohet? A do të eliminohen çështjet e kompensimit? Është më e thjeshtë dhe pozitive të zgjisdhin çështjet aktuale.
Facebook Forum