Fituesi i zgjedhjeve të posaçme për një vend në Dhomën e Përfaqësuesve nga Ohajo, nuk është shpallur ende pasi rezultati është shumë i ngushtë. Votimi u ndoq me interes të veçantë dhe si republikanët edhe demokratët komentuan për këtë garë dhe votime të tjera paraprake në vend, në përpjekje për të parashikuar se si do të shkojnë zgjedhjet e Kongresit në nëntor.
Republikani Troy Balderson, një senator i këtij shteti për dy mandate dhe demokrati Danny O'Connor, protokollisti i distriktit Franklin, kishin vetëm një diferencë të vogël.
Ndërsa numërimi i votave nuk ka mbaruar, mungesa e qartësisë nuk i pengoi kandidatët të flisnin me nota optimiste.
"Jemi në barazim dhe ju ishit ata që e bëtë të mundur. Vullnetarët që shkuan derë më derë për të luftuar për të ardhmen e vendit tonë. Jam shumë mirënjohës për mbështetjen tuaj, ju kishit besim tek ne, në një garë për të cilën kishim thënë se nuk kishim asnjë shans. You vërtetuat që ata e kishin gabim”.
Presidenti Trump deklaroi fitore në emër të zotit Balderson në Twitter, duke marrë meritën për një takim fushate që ai bëri momentin e fundit, në distriktin ku ai kishte fituar me 11 pikë epërsi.
Zoti Balderson e falenderoi zotin Trump për mbështetjen, duke u shfaqur entuziast për garën e ardhshme me zotin O'Connor.
"Daniel O'Connor bëri një garë të fortë dhe unë pres me padurim të bëj fushatë kundër tij në vjeshtë”.
Në përfundim të numërimit të votava nga zyrtarët e zgjedhjeve të Ohajos, zoti Balderson kishte një epërsi të lehtë ndaj zotit O’Connor në distriktin në pjesën qendrore të shtetit, kongresmeni i të cilit kishte qenë republikani, Pat Tiberi.
Por nëse zoti O'Connor siguron më shumë vota nga mijëra fletët e përkohëshme të votimit dhe votat në mungesë, ka një mundësi që të bëhet një rinumërim, duke e shtuar më tej intrigën kësaj gare të ngushtë.
Facebook Forum