Një mbrëmje gala në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida hapi këtë javë një vit festimesh e aktivitetesh në përgatitje për 50 vjetorin e zbritjes së njeriut në Hënë. Personalitete, shkencëtarë e entuziastë të udhëtimeve në hapësirë ishin mbledhur për të festuar misionet Apollo që shënuan një revolucion në eksplorimin e hapësirës, duke u kurorëzuar me misioin Apollo 11 që arriti të dërgojë njerëz në Hënë. Astronautët Walt Cunningham, Rusty Schweickart dhe Tom Stafford të cilët kanë fluturuar me misione të ndryshme Apollo, reflektojnë mbi domethënien e këtyre misioneve për njerëzimin:
Vitin e ardhshëm mbushen 50 vjet që nga zbritja e njeriut në Hënë.
Qindra vetë u mblodhën këtë javë për të festuar këtë arritje që fizikani Brian Cox e vlerëson përtej domethënies shkencore:
"Mendoj se nuk ka gjë më të rëndësishme se të nderojmë Apollon. Për mua, është gjëja më e vështirë që kemi bërë ne si civilizim, prandaj e konsideroj si arritjen më të rëndësishme. Historia na tregon se nëse nuk përpiqemi të kapërcejmë kufijtë, nëse nuk përpiqemi të bëjmë gjëra të pamundura për kohën, qytetërimi ynë do të dështojë,” thotë fizikani Brian Cox.
Në mbrëmje ishin të pranishëm edhe Walt Cunningham, Rusty Schweickart dhe Tom Stafford, tre ndër astronautët e shumtë që fluturuan me gjeneratën e Misioneve Apollo.
"Duhet të kuptojmë se ky ishte një moment historik në evolucionin e njerëzimit dhe të jetës në këtë planet. Njeriu dhe makinat që ka krijuar po na japin mundësi të dalim jashtë gjirit të Tokës drejt kozmosit. Eshtë diçka e mrekullueshme kur mendon për jetën siç e konceptojmë ne në këtë planet të vogël të quajtur Tokë dhe që tani gradualisht po dalim jashtë tij,” shprehet Rusty Schweickart, i cili fluturoi me misionin Apollo 9.
Walt Cunningham kujton fillimet e programit Apollo. Ai fluturoi me Apollo 7 në 1968, një vit para zbritjes në Hënë:
“Po i afrohemi 50-vjetorit të misioneve Apollo, që nga misioni i parë i daljes në hapësirë me Apollo 7, me të cilin fluturova unë, deri tek Apollo 11 që zbriti në Hënë. Më duket e çuditshme, por edhe frymëzuese që njerëzit janë kaq të entuziazmuar për arritjet në hapësirë,” thotë Walt Cunningham, astronaut i Apollos.
Astronauti Cunningham kujton se një rendje drejt hapësirës që filloi si një konkurrencë mes dy superfuqish shënoi arritje të mëdha për mbarë njerëzimin.
"E filluam si garë me Rusinë, që të eksploronim hapësirën, por ajo që kishte më rëndësi është zbritja e njeriut në Hënë”.
87-vjeçari Tom Stafford ka regjistruar 507 orë e 43 minuta në hapësirë. Ai ishte komandant i Projektit Apollo-Soyuz, një mision i përbashkët hapësinor që shënoi një moment historik të takimit të austronautëve amerikanë dhe kozmonautëve rusë në hapësirë, duke simbolizuar ndalimin e garës për hapësirën. Ai shpjegon se një celular i ditëve tona shkencë më të avancuar se sa anija hapsinore me të cilën ai udhëtoi në hapësirë. Ai ia dedikon arritjet e Apollos përkushtimit të punonjësve të NASA-s.
"Njerëzit duhet ta kuptojmë sa shumë kemi punuar. Mbi 400 mijë vetë punonin për projektin Apollo. Java me 5 ditë punë, nga tetë orë në ditë do të na dukej si javë pushimesh në atë kohë. Brenda 20 muajsh dërguam 10 misione Gemini. Brenda nëntë muajsh dërguam pesë misione Apollo dhe katër me anijen Saturn. Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm”.
Një ndër sponsorizuesit e mbrëmjes gala ishte Fondacioni ShareSpace i astronautit Buzz Aldrin, një ndër dy astronautët që zbritën në Hënë më 20 korrik 1969. Aktiviteti në Florida shërbeu edhe për të grumbulluar fonde për programe mësimore për shkencën dhe teknologjinë. |
Facebook Forum