Lidhje

Bllokimi i Shkollës së Magjistraturës, SHBA: Dështim i partive


Në Shqipëri, i ngarkuari me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë David Muniz, e konsideroi sot “një dështim i të gjitha partive në parlament”, moskalimin dje në seancën e fundit të parlamentit për këtë sesion, të ndryshimeve ligjore që do të sillnin zhbllokimin e regjistrimit të studentëve të rinj për këtë vit akademik në Shkollën e Magjistraturës dhe emërimin e të porsadiplomuarve. Komentet e tij zoti Muzin i bëri në një deklaratë për Zërin e Amerikës.

Bllokimi i Shkollës së Magjistraturës, SHBA: Dështim i partive
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:13 0:00

Shumica dhe opozita nuk mundën të bashkonin dje votat e tyre për t’i dhënë zgjidhje ngërcit të krijuar me Shkollën e Magjistraturës për shkak të vonesave në ngritjen e institucioneve të reja të parashikuara nga Reforma në Drejtësi. Ndryshimet e propozuara nga socialistët synonin që në mungesë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të jetë vetë Shkolla e magjistraturës që të realizojë pranimet e reja, ndërsa emërimet për gjyqtarët dhe prokurorët, të bëhen nga KLD aktuale dhe Prokurorja e Përgjithshme. Por ky propozim u kundërshtua nga opozita, ndërsa shumica e vetme nuk i kishte 84 votat e nevojshme për miratim.

Në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës, zoti Muniz u shpreh se bëhej fjalë për “një amendim të thjeshtë të Ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve për të përmbushur një kërkesë bazë të një sistemi drejtësie funksional, i cili lejon që studentë të rinj të hyjnë në Shkollën e Magjistraturës. Shkolla e Magjistraturës përgatit brezin e ardhshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë – jashtë ndikimit politik – në mënyrë që shqiptarët më në fund të gjejnë drejtësi në gjykatat e tyre. Politikanët shqiptarë – vijoi më tej i ngarkuari me punë në ambasadën amerikane - kishin mundësinë ta ndërmerrnin këtë hap të thjeshtë përpara dhe të hapnin dyert për një klasë të re studentësh, por nuk e bënë këtë”. Sipas tij “procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve po ecën më shpejt, dhe Shqipëria ka nevojë për gjyqtarë dhe prokurorë të rinj që do të mbrojnë sundimin e ligjit. Me sa duket, politikanët kanë frikë nga sundimi i ligjit dhe prandaj nuk punuan sëbashku për të mbështetur Shkollën e Magjistraturës dhe reformën në drejtësi.”, përfundon reagimi i të ngarkuarit me punë të ambasadës amerikane.

Dje duke shpjeguar qëndrimin e partisë së tij për këtë çështje, kryetari Lulzim Basha deklaroi se sipas tij ligji për Shkollën e Magjistraturës “është aprovuar në mënyrë të tillë që pasi kryeministri ta kapte shkollën e Magjistraturës, asnjë parti tjetër të mos kishte mundësi t’ia hiqte nga duart dhe kjo është aryeja pse ligji është me 3 të pestat”. Sipas tij në bordin drejtues, kryeministri ka vënë njerëzit e tij, të cilët po ashtu kanë emëruar të përzgjedhurit e qeverisë. “Arsyeja e kapjes së Shkollës së Magjistraturës – u shpreh zoti Basha - është që ta shndërrojë atë në një farë kursi partiak ku të seleksionohen kandidaturat sipas preferencave të Edi Ramës dhe këta të jenë pas 3 vitesh gjyqtarë, prokurorë të ardhshëm. Pra synon një kapje afatgjatë të sistemit”. Por sipas zotit Basha, problemet e krijuara nga Reforma në Drejtësi janë më të thella, duke ju referuar bllokimit të Gjykatës Kushtetuese dhe situatës thuajse të njejtë drejt së cilës po shkon dhe Gjykata e Lartë e duke propozuar një paketë me 7 pika si rrugëzgjidhje.

Gjykata e Lartë ka mbetur me 6 nga 19 anëtarë që duhet të kishte. Tre gjykatës të saj janë shkarkuar gajtë procesit të rivlerësimit. Ndërsa Kryetari i saj Xhezair Zaganjori u rikonfirmua sot, ndonëse ndaj tij ne relacionin e Komisionit të Pavarr të Kualifikimit u hodhën hije dyshimi mbi pasurinë e deklaruar. Zoti Zaganjori megjithatë i dorëzoi Komisionit një material me 40 faqe ku siç u shpreh, kishte dhënë shpjegime të detajuara ndaj çdo pikëpyetjeje të ngritur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG