Lidhje

Tiranë: Studimi mbi universitetet, zero bursa, por blerje luksi


Graphics about universities in Albania
Graphics about universities in Albania

Organizatat Qëndresa Qytetare dhe Task Forca Studentore, mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebert, publikoi sot një raport monitorimi mbi menaxhimin e tre universiteteve publike në Tiranë, Durrës dhe Elbasan,

Nga monitorimi i transaksioneve rezulton se tre universitetet publike janë më larg shkencës dhe më pranë luksit të zyrave, pasi nuk kanë shpenzuar asnjë vlerë për nënkategorinë studime dhe kërkime përgjatë 1 viti akademik.

“Paratë e tarifave të studentëve dhe të ardhurat nga buxheti i shtetit janë shpenzuar për investime luksi dhe zyrash. Mbi 1 miliardë lekë të vjetra ka shpenzuar Universiteti i Durrësit për rikonstruksione ndërtesash dhe pajisje zyrash, ndërsa Universiteti i Elbasanit ka blerë një automjet në vlerën 76 milion lekë të vjetra” - thuhet në raport.

Edhe pse ka më shujmë ndërtesa, Universiteti i Tiranës ka shpenzuar 7 herë më pak se ai i Elbasanit dhe 14 herë më pak se Universiteti i Durrësit për të paguar energjinë elektrike. Universiteti i Elbasanit ka paguar 17 herë më shumë ujë se ai i Tiranës dhe 11 herë më shumë ujë se sa Universiteti i Durrësit.

Ndër shpenzimet e luksit ka hyrë edhe një abonim i shtrenjtë për kartë televizive nga Universiteti i Elbasanit për zyrtarët drejtues, kur mjediset e tij nuk kanë internet falas për studentët.

Tre universitetet shpenzojnë mjaft para për sigurimin e ndërtesave, shuma të konsiderueshme, që rrjedhin nga tarifat e studentëve apo nga buxheti i shtetit.

“Universitetet paguajnë kaq shtrenjtë shërbimin e rojes, por studentët vuajnë mungesën e shërbimeve minimale si kartonat e diplomave, internetit, ngrohjes dhe ftohjes, laboratorëve dhe bibliotekave” - thuhet në studim.

Në Universitetin e Tiranës shpenzimet për bursa studimi janë në nivelin 0, ndërsa mbi 45 mijë dollarë u shpenzuan për vendimet gjyqësore mbi largimet e padrejta nga puna të nëpunësve.

“Keq-administrimi dhe papërgjegjshmëria e titullarëve rëndon mbi xhepat e studentëve, pasi universiteti paguan me paratë e studentëve punonjësit e larguar në mënyrë të padrejtë nga puna, duke lënë vetë studentët ekselentë pa bursa” - thekson studimi.

Universitetet e Durrësit dhe Elbasanit I kanë harxhuar paratë e bordeve administrative jo për kërkim shkencor dhe shërbime ndaj studentëve, por për kolltuqe, makina dhe kompani sigurimi.

Bordi i Administrimit të Universitetit të Elbasanit i kanë caktuar vetes një shpërblim mujor prej 350 dollarë në muaj sipër pagave të tyre si zyrtarë.

Të tre universitetet janë më larg shkencës dhe më pranë luksit të zyrave, pasi në një vit akademik nuk kanë shpenzuar asnjë vlerë për studime dhe kërkime, pra paratë e tarifave të studentëve janë kthyer në pajisje zyrash, makina luksi dhe ndërtime godinash.

Këto shpenzime për internet dhe telefona arrijnë vlera të konsiderueshme krahasuar me abonimet standarte për zyra dhe familje, paradoksi qëndron në faktin se në asnjë nga këto tre universitete nuk ka as salla me internet falas për studentët dhe as wireless falas në ambientet e tyre. Interneti aksesohet vetëm nga administrata e universiteteve dhe pedagogët.

“UT nuk ka paguar ende asnjë bursë studimi, megjithëse viti po akademik po mbaron, por kjo është një nga të drejtat kryesore të mohuara ndaj studentëve, të cilët kur vjen afati i pagesës së tarifës tregohen mëse korrektë” - thuhet në studim.

Autorët kërkuan ndërhyrjen e komisioneve parlamentare, Kontrollit të Lartë të Shtetit, ministrisë së arsimit, Senatet Akademike dhe Këshillat Studentorepër të vëzhguarinvestimet gjatë këtij viti akademik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG