Në Shqipëri, kalimi në autostradën Milot-Morinë do të kushtojë 100 lekë për banorët e zonës, dhe do të jetë Shteti ai i cili do të përballojë nga fondet e buxhetit, 48.5 milion për 30 vjet, kostot e tarifave të reduktuara, të cilat u prezantuan sot nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe ai Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj.
Fillimisht, sipas kontratës që qeveria kishte arritur me kompaninë e cila ka marrë në koncension mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor, pagesat nisnin nga 2.5 euro për motorrët në 22 euro për kamionët, ndërsa për autoveturat 5 euro, pa bërë asnjë dallim për banorët e zonës, të cilët kundërshtuan me forcë pagesën e parashikuar, edhe sepse ata nuk kanë një tjetër rrugë alternative. Më 31 mars një protestë e tyre degjeneroi në përplasje me policinë, ndërsa sporteleve ku do duhej të bëhej pagesa ju vu flaka.
Fillimisht qeveria reagoi me tone të ashpra duke folur për akte vandalizmi të nxitura politikisht, ndërsa më pas ajo pranoi se kishte gabuar që nuk ishte konsultuar më parë me banorët, duke bllokuar pagesën dhe duke nisur bisedimet me kompaninë koncensionare. Sipas dy ministrave, në përfundim të bisedimeve është rënë dakort për një tarifë prej 100 lekë me TVSH për 1 kalim për të gjithë automjetet e regjistruara në Qarkun Kukës. Tarifa e reduktuar do të jetë e kufizuar për jo më shumë se 44 kalime në muaj dhe e vlefshme për tu përdorur brenda peridhës 1 mujore nga data e kryerjes së pagesës për këto kalime. Tarifa lehtësuese edhe për autobusët e 11 linjave të licensuara që kryejnë udhëtime nga dhe për në qytetin e Kukësit. Këto mjete do të kenë gjithashtu tarifë kalimi prej 100 lekë me TVSH për 1 kalim. Për përdoruesit e shpeshtë, automjetet e bizneseve nga Shqipëria dhe Kosova, janë parashikuar zbritje nga tarifa bazë në varësi të shpeshtësisë së qarkullimit.
“Qeveria po merr rriskun më të madh. Ne po marrim rriskun financiar për të zgjidhur një problem social meqenëse Kukësi është zonë e varfër, është deri diku e izoluar, nuk ka rrugë të qënësishme alternative dhe jemi koshient për këtë”, u shpreh ministri Gjiknuri në takimin me përfaqësues të Qarkut, Bashkisë, Këshillave bashkiak dhe të biznesit të zonës. Tarifat e reja do të nisin të zbatohen nga 17 Shtatori.
Facebook Forum