Shefi i programit bërthamor të Iranit tha të martën se vendi ka nisur plane për të rritur kapacitetin e pasurimit të uraniumit, duke intensifikuar presionin ndaj vendeve evropiane që po luftojnë për të ruajtur një marrëveshje bërthamore me Teheranin që u dobësua pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të martën ndodhej në Paris për takime me udhëheqësit francez ndërsa vazhdon përpjekjet për të bindur liderët evropianë të ndryshojnë marrëveshjen ndërkombëtare bërthamore me Iranin.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha sot se nuk ishte i befasuar nga qëllimi i deklaruar i Iranit për të rritur kapacitetin e pasurimit të uraniumit. Ai riafirmoi premtimin për ta parandaluar Teheranin të prodhojë armën bërthamore nga Parisi ku pret të takohet me kryeministrin Emanuel Macron.
"Dy ditë më parë, Ayatollah Khamenei, lideri i Iranit, deklaroi se qëllimi i tij është të shkatërrojë shtetin e Izraelit. Dje, ai tha se do ta bënte këtë, duke pasuruar uranium pakufi në mënyrë që të prodhonte një arsenal të bombave bërthamore", tha Netanyahu gjatë një vizitë në Paris.
Netanjahu e filloi turneun e tij tre-ditor të hënën në Gjermani, ku ai paralajmëroi kancelaren Angela Merkel se ndërhyrja e Iranit në Lindjen e Mesme mund të shkaktojë flukse masive të reja të refugjatëve në Evropë.
Duke folur për gazetarët në një konferencë të përbashkët për shtyp me kancelaren Merkel, kreu izraelit tha se Teherani dëshiron të zhvillojë një fushatë fetare në Sirinë me shumicë suni duke përdorur militantët shiitë nën kontrollin e saj për të konvertuar myslimanët suni.
"Kjo do të nxisë një tjetër luftë fetare - këtë herë një luftë fetare brenda Sirisë dhe pasojat do të jenë shumë, shumë më tepër refugjatë. Dhe ju e dini mirë se ku do të vijnë ata," tha kryeministri Netanyahu.
Gjermania dhe vendet e tjera evropiane panë një fluks prej më shumë se një milion emigrantësh, që krijoi ndarje të thella politike duke nxitur rritjen e partive të ekstremit të djathtë.
Kancalarja Merkel tha se ajo ra dakord me kryeministrin izraelit se aktivitetet e Iranit në Lindjen e Mesme ishin një shqetësim por mbrojti marrëveshjen bërthamore si një mënyrë për të penguar ambicjet bërthamore dhe rajonale të Teheranit.
Netanjahu do të takohet me Presidentin francez Emmanuel Macron të martën dhe kryeministren britanike Theresa May të mërkurën.
Britania, Franca dhe Gjermania ranë dakord për marrëveshjen me Iranin në vitin 2015 së bashku me Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi muajin e kaluar se Shtetet e Bashkuara po tërhiqeshin nga marrëveshja duke e quajtuar atë një "marrëveshje të tmerrshme dhe të njëanshme", dhe duke thënë se ai dëshiron kufizime shtesë mbi programin e raketave balistike të Iranit dhe ato që ai i quajti aktivitetet e tij "destabilizuese në Lindjen e Mesme."
Nënshkruesit e tjerë kanë shprehur dëshirën për të vazhduar marrëveshjen bërthamore, duke thënë se po funksionon. Britania, Franca dhe Gjermania kanë sugjeruar trajtimin e shqetësimeve të tjera lidhur me Iranin nëpërmjet një marrëveshjeje plotësuese.
Sikundër presidenti Trump, Netanjahu ka qenë një kritik i ashpër i marrëveshjes, duke thënë se ajo e lë Iranin me potencialin për të zhvilluar shpejt një armë bërthamore kur të skadojnë afatet.
Irani, i cili fitoi lehtësimin të sanksioneve në shkëmbim të kufizimit të programit të tij bërthamor, ka thënë vazhdimisht se aktiviteti i tij bërthamor ishte vetëm paqësor në natyrë.
Facebook Forum