Lidhje

Për të afërmit e viktimave të komunizmit, plagët mbeten të hapura


Pothuajse tre dekada pas rënies së komunizmit në Shqipëri, shumë bij dhe familjarë të të përndjekurve politikë, thonë se drejtësia për ta nuk është vënë në vend që nga mospërballja e vendit me krimet e asaj kohe e deri tek mosgjetja e eshtrave të të dashurve të tyre të ekzekutuar. Në Nju Jork, një organizatë shqiptaro-amerikane e gruas dhe aktivistë të tjerë, shfaqën një dokumentar ka dalë së fundmi me këtë temë dhe nderuan sakrificat e familjeve që vuajtën pasojat e regjimit komunist.

“Kena vujt, kena heq shumë, shumë keq. S’di se ça me thanë, s’di”, thotë Katerina Cima.

Pasi i kishin ekzekutuar të atin, baba i gjashtë fëmijëve, nëna e saj, ishte detyruar ta dërgonte atë dhe një vëlla në jetimore në Shkodër, pasi nuk i ushqente dot me bukë. Ngaqë nuk e shihnin shpesh të ëmën ndonjëherë nuk e njihnin.

Për të afërmit e viktimave të komunizmit, plagët mbeten të hapura
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:08 0:00

“Nuk ishim në gjendje me e njoftë, veç ia bajshim njani-tjetrit: He, a ashtë nana jonë kjo, a ashtë nana jonë kjo? Po mor më thoshte (vëllai) dhe shkoshim e takoshim”, thoshte ajo.

Zonja Cima ishte vetëm një nga familjarët të-ish të përndjekurve në Shqipëri të pranishëm në aktivitetin e mbajtur në Producer Club Theaters.

Presidentja e shoqatës së gruas “Hope & Peace”, Mimoza Dajçi, që vetë vjen nga një familje e tillë, thotë se mbrëmja e mbajtur në ditën kur në Amerikë është festa e nënave, ishte një homazh, një buqetë me lule…

“…për të gjitha nënat, gratë dhe vajzat shqiptare, që kanë humbur jetën nga torturat komuniste në Shqipëri, nga makineria serbe në Kosovë dhe të gjitha gratë dhe femrat në botë që kanë humbur jetën dhe janë keqtrajtuar nga komunizmi në Evropën Lindore dhe atë Qendrore.”

Zonja Dajçi, është një nga protagonistet e dokumentarit “Të zhdukur në Shqipëri: Familjet ende në kërkim të përgjigjeve”, prodhuar nga BBC Alba, një kanal televiziv në gjuhën galike, në bashkëpronësinë e BBC-së.

Xhaxhai i saj, Rasim Dajçi u ekzekuta në Prizren në vitin 1945.

“E kam një obligim të tim eti dhe të timit personal për të gjetur eshtrat e xhaxhait tim të zhdukur dhe të vrarë nga komunizmi me në krye Shefqet Peçin, sepse kjo ishte një masakër vëllavrasëse direkt me urdhër të Enver Hoxhës që u bë në Prizren në 1945 ku u pushkatuan gati 15 ushtarakë të lartë”.

Beqir Sina, bashkëorganizator i aktivitetit, i cili vetë ka lindur në internim, thotë se Shqipëria është ende larg demokracisë për arsye se korrupsioni, kriminaliteti dhe harresa e asaj që kaloi vendi, ka ndikuar shumë në këto 28 vjet.

“Ne duhet t’ia kuptojmë secilit atë çfarë ka kaluar për 45 vjet për arsye se nuk vuajti vetëm një shtresë, ose ajo shtresë që vuajti specifikisht dhe politikisht atë periudhë. E vuajti i gjithë populli shqiptar kur flasim për një periudhë 45 vjeçare, një izolim total dhe një varfëri të tejskajshme prej 45 vjetësh”.

Ashtu si zoti Sina, edhe zonja Dajçi shprehet me shqetësim për shfaqjet e nostalgjisë për komunizmin në Shqipëri dhe thotë se kjo ishte një nga shtysat kryesore për aktivitetin.

“Vërtet dhuna nuk është e hijshme por problemi është që distancimi nga e kaluara komuniste duhet të bëhet nga të gjithë, duhet të ketë pendesë, duhet të ketë falje dhe ligji duhet të zbatohet që figurat e diktatorit Hoxha të mos ekspozohen më në mënyrë të atillë që të provokojnë njerëzit që kanë vuajtur nga ai regjim.”

Disa prej atyre të vuajturve ishin pikërisht në atë sallë.

“Nuk mjaftuan vuajtjet e Spaçit (ndalon sepse ngashërehet) …Më arrestuan tre muaj para se të lindte djali. E lashë gruan shtatzënë në shtëpi. E gjeta djalin ... pesë vjeç. Më falni se kam emocione…”, thotë Gëzim Vojka që ka vuajtur në burgun e Spaçit dhe e quan atë që nodhi një hakmarrje primitive.

“Ata u munduan të na zhduknin deri në gen po them që ne jetuam, po si jetuam", thotë Suzana Matja, familja e së cilët u internua, pasi iu ekzekutua babai.

“Të keqen, të gjithë torturën e morëm me vete dhe ata njerëzit e mi sot, dy motra dhe një vëlla më kanë vdekur në një moshë që nuk ishin për të vdekur nga torturat që iu bënë atje dhe gjëja më e shpifur që mund të ishte: Vinin mbi 30 vetë të degës dhe bënin apelin në orën 2 të natës kur binte një shi i madh edhe me fëmijët me vete, i mbanim në gji se nuk të linin as çadrën. Këto janë gjëra shumë të zbukuruara se ka të tjera shumë të këqija”, thotë ajo.

“Hajdutëria ka tre forma: Të jesh hajdut parash, dihet. Të jesh hajdut pronash dihet, ama hajdut që të vjedhin jetën, kjo është e pafalshme. Na është vjedhur jeta”, thotë Flora Selfo, ish e përndjekur.

Në dokumentar, kryeministri Edi Rama e pranon se është e vështirë të përballesh me çrrënjosjen e pasojave të komunizmit dhe thotë se njohja më e mirë është përmes muzeumeve, ku të rinjtë të njihen me të kaluarën.

“Unë nuk u besoj shumë memorialeve dhe monumenteve”, thotë ai në dokumentar.

Por për pjesëmarrësit në aktivitet dhe të intervistuarit në dokumentar, të afërmit e disa prej të paktën 6 mijë personave që u ekzekutuan ose vdiqën nga torturat gjatë komunizmit, harresa është e pamundur. Ndërsa vazhdojnë të përpiqen për zbardhjen e fatit të të dashurve të tyre, ata duan të paktën të ketë një memorial ku të shprehin homazhet e tyre dhe të vënë një tufë lule.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG