Lidhje

Gjonaj dhe Meta, akuza të ashpra KLD-ës


Në Shqipëri ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe Presidenti Ilir Meta akuzuan ashpër Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili një ditë më parë refuzoi propozimet për shkarkimin e tre gjyqtarëve të cilët sipas raporteve të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë rezultonin me “shkelje të rënda të ligjit, diskredituese për figurën dhe pozitën e gjyqtarit”.

Propozimet ishin bërë nga ministrja Gjonaj dhe kishin të bënin me një gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit i cili “në mënyrë diskredituese për figurën dhe pozitën e gjyqtarit, la të lirë dhe mundësoi kështu arratisjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore që kërkohej nga shteti italian për ekstradim”, u shpreh ministrja. Rasti i dytë kishte të bënte me një gjyqtar i cili sipas ministres së Drejtësisë “, për shkak të mos arsyetimit tejet të dyshimtë të vendimit të urdhrit të mbrojtjes në kohë, solli humbjen tragjike të jetës së një gruaje prej duarve të bashkëshortit të saj, të ndjerës Liljana Ruka”. Gjyqtari i tretë për të cilin ishte propozuar shkarkimi i përket gjykatës Administrative të Vlorës. Ai “kishte plot 212 vendime gjyqësore të arsyetuara me vonesë. 85 prej këtyre vendimeve janë arsyetuar përtej një afati pesëmujor nga data e shpalljes dhe disa prej tyre edhe pothuajse me një vit vonesë, duke cënuar rëndë interesat e qytetarëve të përfshirë në proceset e mbetura në dorën e këtij gjyqtari me veprime haptazi të papërgjegjshme”, deklaroi zonja Gjonaj.

Sipas ministres, “e djeshmja ishte një ditë e zezë për këtë Këshill, që nxori në pah sfidën e madhe që kemi përpara për të përmbysur sistemin e kalbur të drejtësisë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë si një organ kolegjial ka dështuar në garantimin e llogaridhënies së gjyqtarëve, dhe është kthyer në një strukturë mbrojtëse të interesave personale të gjyqtarëve në dëm të interesit publik”, deklaroi ajo.

Përmes zëdhënësit të tij, mbi qëndrimet e djeshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, reagoi dhe presidenti Meta, i cili kryeson këtë institucion, ku vendimet merren me shumicën e anëtarëve të tij. Sipas tij “shkeljet disiplinore të kryera nga disa gjyqtarë të shqyrtuara ditën e djeshme në KLD ishin më tepër se flagrante dhe me pasoja të rënda. Votimi i djeshëm për këto raste tregoi se KLD-ja nuk i përgjigjet dot pritmërive të shoqërisë për reformimin e sistemit të drejtësisë”.

Aktualisht KLD, funksionon në bazë të disa dispozitave kalimtare, pasi Reforma në Drejtësi parashikon shkrirjen e tij dhe zëvendësimin me Këshillin e Lartë të Gjyqësorit, ngritja e të cilit, ashtu si dhe institucioneve të tjera të reja të Drejtësisë, ka mbetur peng i ecurisë së procesit të rivlerësimit. “Mbledhja e ditës së djeshme dhe vendimarrja e shumicës së anëtarëve të KLD-së për procedimin e gjyqtarëve tregon edhe njëherë nevojën ekstreme që ka vendi, për ngritjen dhe funksionimin sa më parë të organeve të reja të sistemit të drejtësisë që janë parashikuar nga reforma”, theksohet në reagimin e Presidentit Meta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG