Në Shqipëri policia njoftoi sot se falë bashkëpunimit me autoritetet gjermane është arrestuar Arber Çekaj, pronari i firmës “Arbi Garden”, ku më 28 shkurt, gjatë një operacioni të policisë dhe Prokurorisë për Krimet e Rënda u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 613 kilogram kokainë. Arber Çekaj ishte larguar nga Shqipëria pak ditë para zbulimit të sasisë së kokainës. Për mediat shqiptare ai deklaroi se nuk kishte lidhje me kokainën e gjetur në një kontenier me banana të porositura në Kolumbi nga firma e tij, dhe se do t’i dorëzohej vullnetarisht autoriteteve të Drejtësisë shqiptare. Sipas policisë, Çekaj, është arrestuar në një zonë pranë qytetit të Dyseldorfit në Gjermani.
Kokaina e sekuestruar ishte nisur me kontenier nga Kolumbia duke kaluar tranzit përmes Italisë, në Maltë e më pas me anije kishte mbërritur në Portin e Durrësit në Shqipëri, në datën 19 shkurt 2018. Droga, e fshehur në një kontenier me dysheme të dyfishtë, të ngarkuar me banana, u zbulua pas një kontrolli të imtësishëm nga dogana. “Sasia e lëndës narkotike ishte e paketuar në 528 pako, të mbështjella me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët”, shpjegoi në atë kohë policia, e cila kishte mbajtur nën vëzhgim ngarkesën deri sa mbërriti në magazinat e firmës, ku u bë dhe sekuestrimi. Në pranga përfunduan shoferi i mjetit që transportoi kontenierin dhe një punonjës I firmës “Arbi Garden”.
Facebook Forum