Barbara Bush, bashkëshortja e një presidenti amerikan dhe nëna e një tjetri, është shumë e sëmurë dhe po qëndron në shtëpi, pasi ka vendosur të heqë dorë nga trajtimi i mëtejshëm mjekësor. Sipas njoftimeve, ajo vuan nga zemra dhe një sëmundje kronike pulmonare.
Barbara Pierce Bush ishte zonja e parë e Shteteve të Bashkuara në fillim të viteve 1990 kur bashkëshorti i saj ishte presidenti i 41-të i vendit. Ajo më pas u bë nëna e një presidenti, kur një nga gjashtë fëmijët e saj, George W. Bush, u zgjodh në vitin 2000.
"Kam pasur probleme kur isha e martuar me presidentin. Dhe tani tek shoh të njëjtën fytyrë që dikur e shëtisja me makinë për ta çuar nëpër ndeshje sportive dhe i bërtisja të pastronte dhomën, pra kur e shoh president, kjo është vërtet e mahnitshme.”
Ajo është e njohur për besnikërinë e saj të pashtershme.
"Nuk më pëlqente kur dikush kritikonte burrin tim të shkëlqyer dhe inatosesha kur më kritikonin djalin.”
Shpesh e cilësuar si e përulur, trashëgimia e saj më e madhe është avancimi i arsimimit, thotë profesorja e historisë në Universitetin e Hjustonit, Nancy Beck Young.
"Ajo argumentoi rëndësinë e leximit dhe të shkrimit dhe që secilit t'i jepen këto mundësi. Ajo argumentoi në shumë raste në Shtëpinë e Bardhë se aftësia për të lexuar dhe shkruar përcakton suksesin e çdo individi në shoqëri.”
Fondacioni Barbara Bush për Arsimimin Familjar që ajo themeloi tre dekada më parë ka grumbulluar më shumë se 110 milionë dollarë për të krijuar dhe zgjeruar programe arsimore në mbarë Shtetet e Bashkuara.Ajo ka botuar edhe libra.
“Ndërsa ishte në Shtëpinë e Bardhë ajo shkroi librin "Millie’s Book" historia e treguar nga vështrimi i qenit të saj Millie për jetën në Shtëpinë e Bardhë. Ajo i dhuroi të ardhurat nga libri që ishin gati një milion dollarë për programet arsimore”, thotë Nancy Beck Young.
Ajo ishte e drejtpërdrejtë, thotë zonja Young.
“Ajo kurrë nuk u përpoq të jetë e pavërtetë. Gjithmonë ka qenë e vërtetë me veten. Ajo ia u shpjegoi këtë sekretarëve të shtypit se çdo gjë që ajo thotë është e vërtetë. Ajo thoshte nëse e thashë, e thashë"
Barbara Bush lindi më 8 qershor 1925 dhe aktualisht është zonja më e vjetër e parë në vend. Ajo është martuar për 73 vjet me atë që u fejua para se të nisej për në luftë.
"Qëndroja aty dhe shihja qiellin e zbrazët, dhe mendoja për miqtë që kam humbur, për vendin e dua dhe një vajzë me emrin Barbara", kujton presidenti George H.W.Bush.
Ajo u përball me tragjedinë kur një nga dy vajzat e saj vdiq nga leuçemia në moshën 3 vjeçare. Një nga mbesat e saj tha të hënën se bota është një vend më i mirë për shkak të zonjës Barbara Bush.
Facebook Forum