Manovrat e përvitshme ushtarake që aktualisht po zhvillohen mes forcave amerikane dhe ushtrisë së Koresë së Jugut, kanë qënë historikisht një demostrim publik i forcës që synon pjesërisht t’i kundërvihet provave agresive bërthamore dhe me raketa nga Koreja e Veriut. Por me takimet e larta diplomatike që synojnë arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund programit bërthamor të Phenianit, mbulimi mediatik i manovrave ushtarake deri tani ka qënë i kufizuar.
Divizioni i Dytë i Këmbësorisë së Shteteve të Bashkuara kohët e fundit organizoi një ceremoni për mbjellje pemësh në Kampin Casey në Korenë e Jugut, pranë kufirit me Veriun.
Jon Howerton është Zv/Komandant i Divizionit të Dytë të Këmbësorisë së Shteteve të Bashkuara.
“Kjo pemë dhe ato para saj, do të jenë simbol i rrënjëve që na lidhin së bashku dhe të kaluarën tonë, në një mënyrë të qëndrueshme.”
Po ashtu u zhvillua edhe një garë qitjeje mes divizionit amerikan dhe atij korean.
Zhvillimet në Kampin Casey ilustrojnë se sa po minimizohet komponenti i ofensivës në manovrat e sivjetshme, ku marrin pjesë mijëra trupa. Go Myong-Hyun është me Institutin Asan për Studime Politike.
“Duket qartë se është për t’i dërguar një sinjal Koresë së Veriut, se Seuli dhe Uashingtoni nuk janë të gatshëm ta përshkallëzojnë situatën edhe më tej.”
Në të kaluarën, si reagim ndaj provave me raketa balistike dhe bërthamore të Koresë së Veriut, manovrat e përbashkëta kishin komponentë të tillë, si aeroplanmbajtëse dhe bombardues për të demostruar aftësitë për reagim me një fuqi dërmuese ndaj një sulmi nga Pheniani.
Por këtë vit nuk pritet të demostrohet fuqia ushtarake, ndërsa vazhdon përparimi diplomatik për një takim mes udhëheqësit të Koresë së Veriut dhe atij të Koresë së Jugut në fund të muajit prill dhe takimit të nivelit të lartë Uashington-Phenian.
Presidenti Donald Trump tha këtë javë se administata e tij është në kontakt me Phenianin dhe pret të takohet me udhëheqësin Kim nga fundi i majit, apo fillimi i qershorit.
“Të dy palët po tregojnë respekt të madh dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të arrijmë një marrëveshje për çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut,” tha Presidenti Trump.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut po ashtu pranoi për herë të parë publikisht këtë javë takimet e ardhshme, gjatë një takimi me Partinë e Punëtorëve të Koresë.
Facebook Forum