Lidhje

Medvedev: Rusia do t’i bëjë ballë presionit amerikan


Kryeministri rus Dmitri Medvedev tha se sanksionet e reja amerikane ndaj Moskës janë një përpjekje për konkurrencë të pandershme për të kufizuar zhvillimin ekonomik të Rusisë dhe krijuar tensione për monedhën ruse dhe tregjet e aksioneve. Komentet e zotit Medvedev vijnë ndërsa monedha vendase shënoi ditët e fundit, një rënie të ndjeshme në raport me dollarin, që prej vitit 2016. Disa ekspertë financiarë pranojnë se pasojat mund të jenë afatgjata.

Autoritetet e Bankës Qendrore ruse thanë se sistemi financiar i vendit nuk kërcënohet dhe se banka është gati për të vepruar nëse kjo do të jetë e nevojshme.

"Banka Qendrore ka një gamë të gjerë instrumentesh për të vepruar në situata të ndryshme nëse rrezikohet stabiliteti financiar. Por sipas mendimit tonë nuk ekzistojnë rreziqe të tilla për momentin dhe nuk ka nevojë për masa sistematike. Sigurisht, ne do të monitorojmë situatën dhe do të bëjmë korrigjime nëse kjo do të jetë e nevojshme ", thotë Elvira Nabiullina, guvernatore e Bankës Qëndrore.

Ekspertët rusë thonë se nuk ka ende arsye për panik, por paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet.

"Stabilizimi i tregut të aksioneve mund të pritet pasi të bëhen më të qarta hapat e ardhshëm të autoriteteve amerikane lidhur me sanksionet kundër Rusisë. Shpresojmë që sanksionet nuk do të ashpërsohen ndjeshëm, por situata do të mbetet mjaft e paqëndrueshme në ditët në vijim", thotë Oleg Kuzmin i analist i “Renaissance Capital”.

Tani për tani, sanksionet godasin vetëm kompanitë që operojnë me Shtetet e Bashkuara, por kjo mund të ndryshojë.

"Gjëja kryesore që ngre shqetësime është se biznesi rus gradualisht po bëhet toksik për partnerët perëndimorë dhe ka të ngjarë që lista e kompanive të tilla toksike të vazhdojë të rritet", thotë analisti Sergey Khasanov,

Por ndërmjetësit financiarë presin gjithashtu pasoja afatshkurtra.

"Një e treta e artikujve të shportës së një konsumatori me të ardhura mesatare përbëhet nga mallra të importuara, ndaj çmimet dhe inflacioni do të rriten menjëherë pas rënies së rubles. Por rënia e rublës nuk u shkaktua tërësisht nga sanksionet, por nga dinamika e mëparshme. Kjo është arsyeja pse roli i sanksioneve është i dytësor", thotë zoti Khasanov.

Të martën kryeministri rus Dmitri Medvedev akuzoi Shtetet e Bashkuara se po përdorin sanksionet për të zgjidhur sfidat e veta ekonomike.

"I gjithë arsyetimi për disa rusë të këqij të cilët duhet të dënohen, nuk është tjetër veçse një mbulesë politike, që nuk e fsheh thelbin ekonomik. Thelbi është avancimi i interesave tregtare amerikane në mbarë botën, në kundërshtim me rregullat ekzistuese tregtare, në kundërshtim me rendin e vendosur”, tha ai.

Sanksionet e reja amerikane ndalojnë 24 individë dhe kompanitë e tyre të bëjnë biznes me amerikanët. Shtatë prej tyre janë biznesmenë të pasur me lidhje të forta me Presidentit Vladimir Putin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG