Lidhje

Maqedoni: Nuk kalon mocioni per rrëzimin e qeverisë


Votat e 40 deputetëve të koalicionit opozitar të drejtuar nga VMRO DPMNE nuk mjaftuan për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev.

62 ligjvënës të shumicës parlamentare ishin kundër, ndërsa dy ligjvënës abstenuan gjatë votimit para mesnate të mocionit të votëbesimit të ngritur nga opozita maqedonase.

Kryeministri Zaev, gjatë një fjalimi në fund të debatit, para votimit, i bëri thirrje opozitës që të jetë konstruktive për shkak të interesave shtetërore dhe në pritje të proceseve integruese të Maqedonisë.

Zoti Zaev tha mes tjerash se vendi i tij së shpejti do të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa theksoi një sërë projektesh infrastrukturore që do të realizohen, si dhe zhvillimin ekonomik përmes investimeve të huaja.

Partia opozitare VMRO-DPMNE i dha fund bojkotit disa muajsh të parlamentit, duke u kthyer të mërkuren në debatin për mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev.

VMRO-ja akuzon qeverinë për shtimin e kriminalitetit, të dukurive të tjera negative në vend dhe për rënien e ekonomisë. Ndërkaq, ligjvënësit e Lidhjes Social Demokrate në pushtet kundërpërgjigjen se “vendi u shkatërrua në dhjetë vjetët e fundit nga qeveritë e VMRO-së dhe se qeverisë i duhet kohë për të ndrequr dëmtimet e viteve të kaluara”. VMRO-ja megjithatë nuk i ka votat për ta rrëzuar qeverinë.

Partia konservatore VMRO-DPMNE zgjodhi që përmes ngritjes së mocionit të votëbesimit ndaj qeverisë të kthehet në punimet e parlamentit, të cilin e bojkotoi për më tepër se tre muaj që nga arrestimi i deputetëve të saj të akuzuar për pjesëmarrjen dhe orkestrimin e trazirave të dhunshme të 27 prillit të vitit të kaluar në institucionin më të lartë ligjvënës.

Deputetët opozitarë maqedonas thonë se pushteti e shndërroi Maqedoninë në shtetin më te pasigurtë në Evropë; Se qytetarët janë bërë viktima të plaçkitjeve të përditshme, të sulmeve me armë, të shantazhit, zhvatjeve dhe dhunës që kalojnë pa dënime.

Nuk luftohet kriminaliteti dhe korrupsioni në radhët e zyrtarëve qeveritarë. Tenderat bëhen në katër sy”, akuzojnë deputetët e VMRO-së.

Dragan Danev, kryetar i grupit të deputetëve opozitarë akuzoi se institucionet janë politizuar ndërsa profesionistët po përjashtohen nga puna.

“Ndaloni dëbimin e njerëzve të pafajshëm nga puna”, tha Danev gjatë seancës së parlamentit. “Parlamenti, shtoi ai, e solli ligjin e gjuhëve në kundërshtim me procedurat parlamentare, se pushteti po burgosë deputetë opozitarë pa ua hequr imunitetin dhe se ekonomia po përjeton cunami”, siç u shpreh.

Ndërkaq, Tomisllav Tuntev, bashkërendues i grupit të deputetëve të Lidhjes Social Demokrate tha se brenda dhjetë ditësh do të ketë një raport pozitiv të progresit për Maqedoninë nga Komisioni Evropian dhe se vendi po i realizon me sukses reformat e duhura për integrim në strukturat euro-atlantike.

“Kjo mënyrë e kthimit në parlament paraqet një përpjekje dëshpëruese të deputetëve të VMRO-së”, tha zoti Tuntev.

Opozitës maqedonase i nevojitej një shumicë e thjeshtë prej 61 votash për rrëzimin e qeverisë, që ajo nuk e ka.

Ky është mocioni i parë i pasuksesshëm për rrëzimin e qeverisë së z. Zaev që prej ardhjes së tij në pushtet më 1 qershor të vitit të kaluar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG