Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi 8 vite burg për një oficer të lartë të Policisë së Tepelenës të akuzuar për përfshirje në kultivimin e marijuanës.
Sipas prokurorisë, i pandehuri Gani Abazi, ish shefi i specialistëve të zonave në Komisariatin e Tepelenës, akuzohet se mbante kontakte telefonike me kultivuesit e marijuanës. Abazi po gjykohet në masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe pritet që gjykata të shprehet pas pretencës së Prokurorisë.
Për tre persona të tjerë të akuzuar, në të njëjtin proces, për “grup kriminal” dhe “kultivim të marijuanës” në disa zona në Jug të Shqipërisë u kërkuan në total 25 vite burg. Të pandehurit e kësaj dosjeje të gjykuar nga Krimet e Rënda u arrestuan në shkurt të vitit 2017, gjatë një operacioni ku u sekuestrua në total një sasi prej 1.7 tonë marijuanë. Hetimet përfshinë disa fshatra të Tepelenës ku ishin kultivuar siperfaqe me bimë narkotike dhe oficerë të policisë të dyshuar se bashkëpunonin me financuesit dhe kultivuesit e marijuanës.
Sipas të dhënave policore gjatë vitit 2016 rreth 30 % e sasisë së narkotikëve të zbuluar në shkallë vendi ishte kultivuar në Qarkun e Gjirokastrës.
Facebook Forum