Në shenjë hakmarrjeje për dëbimin e 60 diplomatëve rusë nga SHBA, Rusia do të dëbojë 60 diplomatë amerikanë. Personeli i konsullatës amerikane në Shën Petersburg po përgatitet për t’i dhënë fund operacioneve në qytetin e dytë më të madh rus, pas urdhrit të Kremlinit për mbylljen e saj. Ky hap vjen si hakmarrje për dëbimin e më shumë se 150 zyrtarëve rusë nga vende të tjera, si reagim ndaj një sulmi me agjent nervor në tokën britanike, për të cilin Londra dhe aleatët e saj fajësojnë Moskën.
Vendimi i Rusisë për të mbyllur konsullatën amerikane në Shën Peterburg dhe për të dëbuar 60 diplomatë amerikanë pason vendimin e Shteteve të Bashkuara për të mbyllur konsullatën ruse në Siatëll dhe dëbmin e 60 diplomatëve rusë nga territori amerikan. Këto veprime janë rezultat i tensioneve të shkaktuara nga helmimi i një ish agjenti të dyfishtë rus dhe vajzës së tij në Britani, për të cilën Perëndimi akuzon Rusinë.
Ndërkohë që personeli i konsullatës amerikane në Shën Peterburg po përgatitej për përfundimin e operacioneve, disa banorë të Moskës shprehën shqetësimet e tyre mbi pasojat që ky veprim mund të ketë në marrëdhëniet SHBA-Rusi.
“Ky është një përkeqësim i marrëdhënieve diplomatike që mund të sjellë pasoja të këqija, nuk e di. Ne duhet të gjejmë kompromis, në mënyrë që vendet të afrohen e jo të distancohen nga njëri-tjetri”, thotë Konstantin Mamin, banor i Moskës.
Një banore e Moskës është e shqetësuar për pasojat që tensionimi i marrëdhënieve mes Rusisë dhe Perëndimit mund të ketë në ekonominë e vendit.
“Natyrisht, kjo do të ketë ndikim tek çmimet, njerëzit, pushimet tona, fëmijët, ilaçet dhe çdo gjë tjetër”, tha Yekaterina Sakharova.
Ndërsa një banor tjetër i Moskës thotë se kjo mund të krijojë vështirësi në përpjekjet për zgjidhjen e çështjeve ndërkombëtare.
“Ndërlikimi i marrëdhënieve diplomatike, i zgjidhjes së çështjeve ndërkombëtare dhe ekonomike janë pasoja të drejtpërdrejta të këtij tensionimi. Dëbimet nuk janë katalizatori ose shkaku, por pasojë e drejpërdrejt e përkeqësimit të marrëdhënieve. Prandaj, duhet të trajtohen problemet fillestare jo vetëm dëbimet”, thotë Alexei Ryabov, banor i Moskës.
Shtëpia e Bardhë tha se vendimi i Moskës për mbylljen e konsullatës amerikane në Shën Pertersburg dhe dëbimin e 60 diplomatëve shënon një përkeqësim të mëtejshëm në marrëdhënieve SHBA-Rusi.
Kriza lidhur me helmimin e një ish agjenti të dyfishtë rus dhe vajzës së tij ka nxitur tensione mes Kremlinit dhe Perëndimit në nivelin më të lartë në dekada. Reagimet hakmarrëse ngrenë dyshime mbi një përshkallëzim të mëtejshëm e më serioz, qoftë ky i hapur apo i fshehtë.
Facebook Forum