Lidhje

Vëzhguesit ndërkombëtarë kritikojnë Rusinë për zgjedhjet


Vëzhguesit ndërkombëtarë po e kritikojnë Rusinë se nuk garantoi një lojë të barabartë për konkurrentët në zgjedhjet presidenciale që i dhanë Putinit gjashtë vjet të tjera në Kremlin.

Udhëheqësit e misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë thanë të hënën se mbulimi i gjerë nga mediat shtetërore i aktiviteteve të Putinit i dha atij një avantazh të rëndësishëm mbi shtatë rivalët. Ata thanë se në zgjedhje nuk pati alternativa reale dhe se votimet u karakterizuan nga presione të padrejta ndaj zërave kritikë.

Sfidanti i vetëm i besueshëm i Putinit, blogeri dhe aktivisti Navalny, u ndalua të merrte pjesë për shkak të një vendimi gjykate që e shpallte atë fajtor për mashtrim, dhe që ai tha se ishte bërë qëllimisht për ta përjashtuar atë nga politika elektorale. Navalny dhe mbështetësit e tij thanë se kudo në Rusi, votuesit u sollën me autobusë në qendrat e votimit.

Zëvendëskryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i hodhi poshtë akuzat për parregullsi, dhe tha se “Nuk ka asnjë vend tjetër në botë me nivelin e transparencës që po demonstrojmë sot".

Megjithatë, aktivistët publikuan në internet video që tregonin shkelje të hapura, duke përfshirë zyrtarë që mbushnin kutitë e votimit, ndërkohë që njerëzit prisnin me durim në radhë për të hedhur votën.

Zgjedhjet, të cilat u përshkruan nga njëri prej shtatë rivalëve të zotit Putin si “të ndyra”, do ta zgjasë kohën e tij në pushtet deri në vitin 2024, kur ai të jetë 71 vjeç. Deri atëherë, ai do të ketë qëndruar në krye të vendit për gati një çerek shekulli.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi tha se zoti Putin pritej të merrte rreth 76.6 përqind të votave. Rivali më i afërt me të, kandidati komunist Pavel Grudinin, i cili pritej të merrte 11.9 përqind, u tha gazetarëve se zgjedhjet ishin "më të ndyrat të zhvilluara ndonjëherë".

Në reagimin e tij të parë udhëheqësi i opozitës Alexei Navalny, i ndaluar të merrte pjesë në zgjedhje, tha në Twitter se "do të përpiqet përsëri vitin e ardhshëm".

Ka pasur njoftime për qindra shkelje në qendrat e votimit, që zyrtarët e zgjedhjeve i minimizuan por thanë se po i hetonin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG