Lidhje

Rusia në prag të zgjedhjeve presidenciale


Rusët shkojnë në kutitë e votimit të dielën, për të zgjedhur presidentin e tyre të ardhshëm dhe është pothuajse plotësisht e sigurt që Vladimir Putini do të fitojë një mandat të ri gjashtëvjeçar. Putin vazhdon të ketë popullaritet mes rusëve të cilëve u pëlqen stili i tij prej udhëheqësi me dorë të fortë. Tetë kandidatë janë në garë, por ka akuza të shumta se opozitës së vërtetë politike, i është mbyllur goja mes pretendimeve për parregullsi në votim. Zgjedhjet mbahen në një kohë tensionesh të larta me perëndimin, pas akuzave britanike sipas së cilave Kremlini ishte pas helmimit të një ish-agjenti të dyfishtë në Britani.

Një nga tubimet e fundit të fushatës u mbajt këtë javë në Sevastopol të Krimesë, rajoni që Rusia e aneksoi me forcë nga Ukraina në vitin 2014, një veprim që u denoncua në shkallë globale. Vladimir Putin i tha turmës se ata kishin zgjedhur Rusinë.

“Me vendimin tuaj, ju i treguat gjithë botës kuptimin e demokracisë së vërtetë”.

Kuptimi i vërtetë i demokracisë do të vihet në provë në zgjedhjet presidenciale të së dielës. Mes përkrahësve të tij, presidenti Putin frymëzon një besnikëri të patundur.

“Vladimir Putin është presidenti ynë. Ai është presidenti ynë. I urojmë fitore në zgjedhje!”, thotë Marianna Shanina.

Kudërshtarët thonë se zgjedhjet janë një parodi e demokracisë, pasi opozitës së vërtetë i është mbyllur goja.

“Nëse ai fiton, politika do të devijojë nga realiteti. Autoritetet do ta përforcojnë kontrollin mbi opozitën. Dhe ne thjesht do të kthehemi në një shtet totalitar”, thotë përkrahësi i opozitës, Roman Shingarkin.

Kundërshtarit më të njohur të Putinit, Alexei Navalny, i është ndaluar të marrë pjesë, për shkak të një dënimi penal, që ai thotë se ishte i fabrikuar. Ai ka bërë thirrje për bojkotim të zgjedhjeve.

Disa banorë të Moskës që folën me Zërin e Amerikës, ishin të gatshëm t’i përgjigjeshin kësaj thirrjeje.

“Ka një iluzion të një procesi elektoral, por sa u takon zgjedhjeve të vërteta me kushte të barabarta për të gjithë, kjo nuk ekziston”, thotë Renat Rashitovich Kildeyev.

“Unë nuk dua të marr pjesë, sepse janë aktorët që po i komandojnë kukullat”, thotë Igor Yevgenyevich po nga Moska.

Anketat, rezultatet e të cilave nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, lënë të kuptohet se Vladimir Putin do të marrë dy të tretat e votave. Rivali i tij më i afërt, Pavel Grudinin, ka nën 10 për qind mbështetje. Ai është nga nga shtatë kandidatët që po sfidojnë Putinin.

“Nëse mesazhet e tyre janë kritike dhe Kremlini nuk do që ato të dëgjohen nga publiku rus, atëherë publiku nuk do të mund t’i dëgjojë. Në fillim të fushatës, Grudinin po dilte shumë mire por pastaj papritur nuk po shfaqej më në televizion”, thotë profesor, Matthew Wyman i Universitetit Keele.

Valët televizive janë të pushtuara nga Vladimir Putini, që pritet të fitojë për një mandate të katërt dhe ndoshta të fundit, si President.

“Pas gjashtë vjetësh, teorikisht, Presidenti Putin nuk duhet të kadidojë më për president. Prandaj të gjithë njerëzit e brendshëm të Kremlinit do të luftojnë ashpër me njëri-tjetrin për të qenë në pozitën më të favorshme për ta zëvendësuar atë. Prandaj mendoj se programi do të jetë i mbizotëruar nga mendimi se kush do të pasojë Putinin”.

Nga Ukraina dhe Siria, tek lufta kibernetike, Putin ka ndryshuar rregullat gjeopolitike. Dhe pritet të shihet nëse ai do të vazhdojë të luajë me zjarrin, apo do ta tërheqë Rusinë nga ajo që shumë e përshkruajnë si një luftë e re e ftohtë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG