Parlamenti i Turqisë miratoi sot një ligj të ri të debatueshëm për zgjedhjet. Opozita thotë se ligji i ri mund t’i hapë derën manipulimit zgjedhor dhe të rrezikojë votimet e planifikuara për vitin 2019.
Pasi Nënkryetari i Parlamentit njoftoi rezultatin e votimit për rregulloren e re zgjedhore, filloi një përleshje mes deputetëve të maxhorancës dhe atyre të opozitës. Pati shkëmbime grushtash dhe të shtyra, ndërsa deputetët ndiqnin njëri-tjetrin nëpër sallat e parlamentit.
Kritikët e qeverisë në Turqi janë të alarmuar për ligjin e ri që i jep Bordit të Lartë Zgjedhor autoritetin të shkrijë zona zgjedhore, si dhe të zhvendosë kutitë e votimit drejt zonave të tjera. Gjithashtu, fletët e votimit do të pranohen pa vulën e komisionit zgjedhor vendor.
Ndër të tjera, ligji i ri parashikon që forcat e sigurisë do të lejohen të futen në qendrat e votimit nëse ftohen nga një votues. Qeveria turke thotë se kjo masë do të jetë një kundërpeshë ndaj kërcënimeve nga Partia e Punëtorëve Kurdë, PKK, në zonën juglindore të vendit. Ligjvënësit e opozitës janë shprehur se prania e forcave të sigurisë mund të përdoret për ta bërë më pak transparent procesin e numërimit të votave.
Facebook Forum