Sipas statistikave më të fundit në Shqipëri, gjatë vitit të kaluar u regjistruan 4 mijë 500 kërkesa të grave për urdhëra mbrojtje ndaj dhunës në familje.
Një në tre gra pohojnë se kanë pësuar dhunë, ndërsa studiueset dhe veprimtaret përpiqen të gjejnë shkaqet e kësaj dukurie të rëndë e të përhapur.
Dhuna ndaj grave në familje dhe në shoqëri ëhstë një dukuri mjaft e përhapur në Shqipëri.
Sipas studimeve më të fundit, një në tre gra pohojnë se kanë pësuar dhunë në familje, pa llogaritur dhunën që pësojnë nga shoqëria dhe institucionet publike a private.
“Vrasja e gjyqtares dhe shumë vrasje zonjash të tjera duhet të shërbejnë më fort ër ndërgjegjësimin e opinionit dhe edukimin qytetar” - tha Majlinda Keta, pedagoge në
Fakultetin e Shkencave Natyrore në Universitetin e Tiranës.
Shqipëria ka disa strehëza për mbrojtjen e grave dhe vajzave në fazën kur ato largohen nga dhuna, kërkojnë urdhëra mbrojtjeje, strehim dhe fuqizim të përkohshëm.
Shoqëria shqiptare është mbërthyer prej disa vitesh në një krizë të rëndë morale, dhe ka nevojë ta lexojë dhe ta dëgjojë moralin haptas.
“Rinia është një pikë fillestare nga duhet të nisë ndërgjegjësimi për zhdukjen e dhunës ndaj grave. Përcjellja e mendësive të dhunës nga një brez në tjetrin është problem kryesor” - tha Marsela Allmuça, studiuese dhe bashkëpunëtore e Strehës për Gra dhe Vajza.
Veprimtaret e çështjeve gjinore në Shqipëri pohojnë se dhunë është njëlloj e keqe për të gjitha moshat dhe gjinitë, ndaj shoqëria nuk duhet të përqëndrohet te viktimizimi, por te edukimi kundër dhunës në çdo pjesë të jetës.
Krahas dhunës me bazë gjinore ndaj grave dhe vajzave, është edhe bulizmi me baza gjinore.
“Dhuna mbizotëron atëherë kur tolerohet nga mendësitë e vjetra dhe nga nënvlerësimi i institucioneve, por ajo nuk zhduket vetëm me masa administrative, nevojitet edhe një edukim i mirë I brezave të rinj” - tha Edlira Çepani, drejtuese e Rrjetit të Grave për Barazi në Vendimmarrje.
Studiueset të cështjeve sociale mendojnë se dhuna ndaj grave dhe vajzave nis me pabarazinë ekonomike të tyre me burrat, të cilët mbizotërojnë gjithçka dhe i shndërrojnë ato në shërbyese pa të drejta në familje.
“Gratë janë pjesa më e nënvlerësuar, më e varfër dhe më e dëmtuar e shoqërisë. Dinjiteti fillon të rritet me fuqizimin e tyre, dhe pas kësaj vjen ulja e dhunës” - tha studiuesja dhe veprimtarja Edlira Haxhiymeri.
Në ditë si këto dhe gjatë gjithë vitit organizatat e shoqërisë civile punojnë nga afër me një mori grash dhe vajzash të dhunuara si dhe me ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi rëndësinë që ka fuqizimi i grave.
Studimet nxjerrin se fuqizimi i grave ka një lidhje të drejtpërdrejtë me zhvillimin e vendit; sa më të pafuqishme janë gratë aq më i pazhvilluar është vendi, dhe se zhvillimi do të vijë vetëm nga fuqizimi I vërtetë I grave dhe vajzave shqiptare.
Facebook Forum