Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u shpreh se Iranit i duhen vetëm pak vite për të prodhuar bombën bërthamore.
I gjendur nën presion në vendin e tij dhe ndërsa përballet me mundësinë e ngritjes së akuzave për korrupsion, zoti Netanyahu bëri një paralajmërim nga podiumi i Konferencës së Sigurisë në Mynih, për situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme, duke e akuzuar Iranin se përbën një kërcënim ekzistencial.
“Marrëveshja bërthamore me Iranin ka filluar numërimin mbrapsht drejt një arsenali bërthamor iranian në më pak se një dekadë. Lehtësimi i sanksioneve që mundësoi marrëveshja nuk e ka moderuar Iranin. Nuk i ka moderuar brenda vendit dhe as jashtë tij”, tha zoti Netanyahu.
Ai e bëri këtë deklaratë ndërsa demonstroi nga podiumi një pjesë të një droni iranian që u rrëzua në territorin izraelit.
Duke folur të dielën pasdite në Mynih, ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif i hodhi poshtë komentet e kryeministrit izraelit.
"Ju patë sot paradite një cirk karikaturor që as nuk e meriton dinjitetin e një përgjigjeje," u tha Zarif pjesëmarrësve. Ai tha se Teherani po kërkon paqe në rajon në bazë të respektit të ndërsjellë.
Facebook Forum