Senati amerikan hodhi poshtë të katër propozimet për reformën e imigracionit që shqyrtoi këtë javë në diskutimet e përkushtuara për të gjetur një zgjidhje për statusin ligjor të imigrantëve të rinj pa dokumenta që mund të rrezikohen të deportohen duke filluar nga 5 marsi.
Katër përpjekje të ndryshme për të gjetur një zgjidhje për ‘Ëndërrimtarët’. Çdo propozim u hodh poshtë nga Senati.
Dy propozimet dypartiake që nuk arritën të miratohen nga Senati, parashikonin një rrugë drejt shtetësisë për imigrantët e rinj rrugën dhe shtoimin e masave të sigurisë kufitare të Shteteve të Bashkuara që është kërkesa kryesore e presidentit Trump, si edhe gjobitjen e qyteteve që nuk bashkëpunojnë me autoritetet federale të imigracionit.
"Ka vetëm një arsye përse Senati nuk do të jetë në gjendje të arrijë një marrëveshje dypartiake për Daca-n -- Presidenti Trump. Ai e krijoi këtë problem duke i dhënë fund programit gushtin e kaluar. Që nga ai vendim, Presidenti Trump është bërë pengesë për çdo propozim që mund të bëhej ligj", tha senatori demokrat Charles Schumer.
"T’i japim fund imigracionit zinxhir, t’i japim fund lotarisë së vizave dhe kemi një rrugë drejt shtetësisë për 1.8 milionë ëndërrimtarë. Ky është i vetmi plan që mund të bëhet ligj pasi presidenti ynë ka thënë se do ta nënshkruajë”, tha senatori republikan Charles Grassley.
Të enjten në mbrëmje, Shtëpia e Bardhë publikoi një deklaratë ku thuhet se senatorët demokratë kanë "bllokuar një propozim me një rrugë jashtëzakonisht bujare për shtetësinë pasi përmban reforma që sigurojnë kufirin tonë dhe sistemin tonë të imigracionit"
Gati 800,000 ëndërrimtarët përfituan nga programi Daca që lejonte imigrantët e rinj të sjellë në vend qysh fëmijë, të punonin dhe të studionin në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Trump i dha fund programit vitin e kaluar dhe ka caktuar datën 5 mars si afatin e fundit të programit.
Senatorët demokratë dhe disa republikanë mendojnë se afati nuk jep kohë të mjaftueshme për ndryshime madhore në sistemin e imigracionit të vendit.
Tani me Kongresin e bllokuar për të gjetur një zgjidhje, përfituesit nga programi Daca përballen me mundësinë e deportimit duke filluar nga 5 marsi. Një krizë që është vetëm përgjegjësi e presidentit thonë demokratët.
“Nuk ka dyshim që populli amerikan do të fajësojë Presidentin Trump dhe asnjë tjetër për dështimin për të mbrojtur Ëndërrimtarët”, tha senatori Schumer.
Por partia e Presidentit mund të përfitojë nëse udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell mban premtimin për ta kufizuar debatin e imigracionit vetëm gjatë kësaj jave.
“Kjo me të vërtetë favorizon republikanët të cilët ose nuk duan të sigurojnë lehtësim për përfituesit e DACA-s ose vetëm duan ta bëjnë këtë të lidhur me ndryshimet e politikave të tjera të imigracionit që demokratët nuk janë të gatshëm të pranojnë”, thotë Molly Reynolds me institutin Brookings.
Shansi tjetër i demokratëve për t’i dhënë shtytje çështjes Daca? Kur Kongresi të rishqyrtojë çështjen e shpenzimeve qeveritare në mars.
Facebook Forum