Pas reagimit të banorëve dhe shoqatave mjedisore kundër ndërtimit të hidrocentraleve mbi lumenjtë natyror të vendit si në Valbonë, Vjosë dhe Osum edhe banorët e Parkut Kombëtar të Thethit reaguan të hënën duke kërkuar ndërprerjen e procedurave të mëtejshme për ndërtimin e hidrocentraleve mbi Lumin e Shalës, që kalon përmes zonës së Thethit. Të mbledhur në Bashkinë e Shkodrës për të diskutuar mbi projektet e zhvillimit të kësaj zone turistike, banorët u shprehën se ndërtimi i hidrocentraleve do të shkatërrojë të ardhmen tursitike të një prej zonave më të rëndësishme të turizmit malor.
Banorët thonë se, sipas faqës zyrtare të Ministrisë së Energjisë, hidrocentrali që është parashikuar të ndërtohet është i llojit me basen të madh i cili do të bllokojë një pjesë të madhe të Luginës së Shalës dhe do të dëmtojë në mënyrë të pakthyeshme një ndër destinacionet më të bukura turistike në vend.
Në një nismë për ta shndërruar vendin në superfuqinë energjitike në rajon, në vitin 2009 qeveria e djathtë miratori leje për ndërtimin e dhjetra hidrocentraleve në lumenjtë e vegjël të Shqipërisë, gjashtë prej tyre në Lumin e Shalës. Por, vitin e kaluar, qeveria e majtë anuloi koncesionet e dhëna pas gjetjes së një numri shkeljesh nga koncensionarët dhe rihapi ofertën për ndërtimin e vetëm tre nga gjashtë hidrocentralet e mëparshëm.
Kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi, thotë se shqetësimi i komunitetit dhe vetë institucionit të Bashkisë Shkodër lidhet me parregullsitë e koncensionit të dhënë për ndërtimin e tre hidrocentraleve në Lumin e Shalës si dhe dëmin që ato i shkaktojnë njërës prej zonave më të mbrojtura natyrore.
"Që në muajin prill i jemi drejtuar ministrisë përkatëse të energjitikës me kërkesën që, menjëherë, të marrin masa për mosveprim, pasi ne kemi verifikuar një sërë problematikash proceduriale apo që lidhen me projektimin, oponencën etj, sidomos me mosmarrjen e mendimit të komunitetit. Shfrytëzuam takimin e sotëm për të nenvizuar edhe një herë bashkë me banorët e Thethit dhe të Shalës, duke u shprehur njëheri edhe institucionalisht por edhe si komunitet, se jemi kundër ndërtimit të këtyre heceve".
Kryebashkiakja Ademi thotë se nga konsultimet e herëpasherëshme me komunitetin, banorët u shprehen kundër projekteve të tilla që rrezikojnë mjedisin. Zonja Ademi thotë se vendimi për ndërtimin e hidrocentraleve në Lumin e Shalës është marrë në një kohë kur vetë qeveria ka hartuar projektin e zhvillimit të Alpeve duke e shpallur si qendër historike Thethin dhe kur Banka Botërore pritet të investojë rreth 7 milionë euro për ndërtimin e rrugës prej 16 kilometrash Qafë Thore-Theth si dhe për rikualifikimin urban të qendrës së fshatit, me synim nxitjen e mëtejshme të turizmit dhe ekonomisë së banorëve.
Shoqëria civile ka reaguar vazhdimisht kohët e fundit kundër ndërtimit të heceve mbi lumejtë e egër te vendit. Megjithatë, kompanitë koncensionare kanë vazhduar ndërtimin e tyre si në rastin e heceve në Luginën e Valbonës, ndërkohë që edhe qeveria shqiptare ka vazhduar të miratojë ndërtimin e hidrocentraleve të tjerë mbi lumenjtë e vendit.
Facebook Forum