Në Shqipëri opozita dhe qeveria u përlasën sot në parlament lidhur me ekstradimin në Itali, të Nazer Seitit, i konsideruar si një prej anëtarëve kyc të grupit të Habilajve. Për opozitën ministrja e Drejtësisë Etilda Gjoni ka vepruar në shkelje të ligjit duke lejuar transferimin e tij, duke qenë se ai ishte nën hetim dhe nga autoritetet shqiptare. Zonja Gjonaj u përgjigj duke deklaruar se ajo kishte vepruar në bazë të një vendimi gjykate që kishte autorizuar ekstradimin.
Polemikat që ziejnë prej shumë ditësh lidhur me ekstradimin e Nazer Seitit, të ashtuquajturit “financieri” i grupit të vëllezërve Habilaj, i cili u godit tetorin e shkuar në Catania të Italisë, zbritën sot dhe në sallën e parlamentit ku opozita kishte kërkuar një interpelancë me ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Sipas opozitës, në rastet kur një person ndodhet nën hetim në Shqipëri, atëherë ai nuk mund të ekstradohet. Përfaqësuesi demokrat Enkelejd Alibeaj akuzoi ministren se kishte vepruar me vetdije në shkelje të ligjit, pasi që në momentin e parë kur ishte njoftuar kërkesa për ekstradim ajo duhet të kishte nisur verifikime nëse kishte pengesa apo jo për të transferuar Seitin në Itali, e se një gjë të tillë duhet ta bënte edhe kur kërkesa mbërriti zyrtarisht. “Prokuroria e Përgjithshme në 10 janar 2018, i kthen mbrapsht dokumentacionin. Ministrja pretendon se Prokuroria e Përgjithshme është ajo që nuk e njoftoi se kishte pengesë ekstradimi. Mundet! Por Ministrja kishte detyrim ligjor për të verifikuar për llogari të vet, pavarësisht Prokurorisë së Përgjithshme ekzistencën ose jo të pengesave. Ishte kjo mundësia e tretë dhe për të tretën herë nuk e zbatoi ligjin”, theksoi zoti Alibeaj.
Për opozitën gjithshka është bërë për të larguar njeriun që më mirë se kushdo sipas saj njihte lidhjet e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me grupin e Habilajve, për të cilat ai është vetë nën hetim. Para se ministrja Gjonaj të merrte vendimin, për esktradimin ishte shprehur më parë gjykata. Tanimë për gjykatësinë ka nisur një procedim disiplinor nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sikundër dhe ndaj prokurorit që nuk kishte njoftuar për ekzistencën e hetimit në Shqipëri. Eshte pikërisht ky vendim mbi të cilin shpjegoi pozitën e saj ministrja e Drejtësisë. “Ministria e Drejtësisë vepron dhe disponon ekstradimin vetëm në bazë tën një vendimi gjykate dhe vetëm në bazë dokumentacionit që verifikon prokuroria dhe gjykata. Nuk mund të kryejë kurrsesi veprime hetimore, verifikuese apo gjykuese dhe aq më tepër të vërë në diskutim zbatimin e vendimit të një gjykate”, u shpreh zonja Gjonaj.
Përgjigja e saj ishte në pjesën më të madhe një mbrojtje politike, ndërsa i kujtoi opozitës se e konsideron prokurorinë shqiptare si të vënë nën kontrollin e qeverisë: “Në rast se doni të vërtetën, atëherë nuk duhet të shqetësoheni se në fund të fundit, unë Ministri i Drejtësisë i hoqa nga kthetrat e Prokurorisë së kapur nga Kryeministri, një dëshmitar të rëndësishëm dhe ja dërguam Prokurorisë Antimafia italiane”.
Por sipas zotit Alibeaj “ka një ndryshim të madh midis Katanias dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Katania heton Nezar Seitin, Moisi Habilaj me kompani, por jo Saimir Tahirin. Prokuroria e Krimeve të Rënda të Republikës së Shqipërisë heton Saimir Tahirin mbi të gjitha.Cila ishte goja që do të tregonte për lidhjet e Saimir Tahirit, për paratë e marra dhe për lidhjet me këtë këtu, Nezar Seiti”.
Përfaqësuesi demokrat tha se ai do të bënte kallzim në Prokurori ndaj ministres Gjonaj për shpërdorim detyre.
Facebook Forum