Në Tiranë, ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian, Romana Vlahutin theksoi sot se Strategjia e Zgjerimit e paraqitur sot nga Komisioni Europian, bën të qartë se Shqipëria ka një mundësi të vërtetë drejt çeljes si bisedimeve për anëtarësim muajt e ardhshëm. Zonja Vlahutin shpjegoi se përmes Reformës në Drejtësi, vendi ka trajtuar një pjesë të mirë të kapitujve të parë të bisedimeve duke fituar në këtë mënyrë kohë për t’ju afruar, vendeve që janë më para se ajo.
Për Shqipërinë Strategjia për Zgjerimin e Bashkimit Europian drejt Ballkanit Perëndimor nuk sjell ndonjë element të ri përveç rikonfirmimit për mundësinë e hapjes së bisedimeve për anëtarësim në muajt e ardhshëm. Pas konferencës në Strasburg të Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Federica Mogherini dhe Komisionerit për Zgjerimin Johannes Hahn, në Tiranë, ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian, Romana Vlahutin theksoi se “Strategjia bën të qartë se Shqipëria ka një mundësi të vërtetë dhe të menjëhershme për të ecur përpara drejt celjes së bisedimeve në muajt e ardhshëm”.
Për ambasadoren Vlahutin, vendi ka një mundësi të mirë për t’ju afruar vendeve të tjera të rajonit që janë më përpara në këtë proces, falë Reformës në Drejtësi: “Shqipëria ka bërë dicka shumë të zgjuar, duke marrë pjesë të rëndësishme të kapitujve 23-24 e duke bërë ato pjesë të Reformës në Drejtësi e cila është mjaft e plotë. Që do të thotë se Shqipëria ka bërë tashmë mjaft punë përpara dhe ka fituar kohë për të ardhmen. Nëse e mbajmë të njejtin fokus te shpejtësia, ajo do të jetë e aftë të arrijë shpejt vendet e tjera që janë në bisedime, sapo ajo t’i fillojë ato”.
Ambasadorja Vlahutin tha se muajt që janë përpara duhet të shfrytëzohen sa më mirë me një angazhim sa më të madh. Në një postim në Facebook Kryemnistri Rama ritheksoi se “bisedimet janë më afër se kurrë”, duke shtuar se “pastaj gjithshka do të varet nga fuqia e vrapimit të vetë vendit”.
Gatishmëria e shprehur ndërkohë nga Komisioni europan për të rekomanduar hapjen e bisedimeve, është një hap përcaktues por jo vendimtar. Fjala e fundit do t’i mbetet si gjithnjë vendeve anëtare të cilat do të duhet të shprehen Qershorin e ardhshëm.
Duke komentuar miratimin e sotëm të Strategjisë së Zgjerimit, ministri i Jashtëm shiptar Ditmir Bushati u shpreh se “mirëpresim vlerësimin e Komisionit Europian dhe gatishmërinë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë. Ne besojmë që ky vlerësim i Komisionit do të mbështetet njëzëri nga vendet anëtarë të Bashkimit Evropian, si një investim i qëndrueshëm për procesin e pakthyeshëm të reformave në Shqipëri dhe stabilitetin demokratik të rajonit”. Në postimin e tij në Facebook, zoti Bushati thekson më tej se “duke pasur parasysh hendekun zhvillimor mes vendeve të rajonit dhe BE-së, mirëpresim që angazhimet e kësaj Strategjie të specifikohen më tej me programe e instrumente financiare në mbështetje të infrastrukturës, ndërlidhjes, arsimit e sigurisë energjitike të rajonit tonë. Shpresojmë që Bashkimi Evropian të forcojë angazhimin në rajon e të demonstrojë qartësi strategjike për të transformuar thellësisht dhe këtë pjesë të Evropës”.
Facebook Forum